Analizë e Shoqatës “Vlera të përbashkëta”, zbatimi i Ligjit për gjuhët pothuajse i dështuar
Mënyra e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që u miratua në vitin 2008....

Mënyra e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që u miratua në vitin 2008, është pothuajse në tërësi e dështuar, sepse nëpunësit shtetërorë kanë qenë shumë pak të informuar se ekziston një ligj i tillë.
Kështu ka rezultuar analiza e organizatës qytetare “Vlerat e përbashkëta”, e cila i ka grumbulluar të dhënat nga tre ministri dhe Sekretariati për Zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Mungesa e akteve nënligjore ka pamundësuar implementimin e ligjit në praktikë, por edhe zgjedhjet ad-hoc për përkthim nuk janë zgjedhje të mirëfillta.
Analiza ka dëshmuar se nuk ka ndjenja negative ndaj ligjit te administratorët, por duhet pasur mekanizma që sigurojnë implementimin e dispozitave ligjore.
“Rekomandimi kryesor është që të punohet më tepër në krijimin e mekanizmave që sigurojnë implementimin e dispozitave ligjore dhe të vendosen institucione që do ndjekin implementimin e zgjedhjeve të reja ligjore në rendin ligjor”,- deklaroi prof. dr. Besa Arifi.
“Nuk janë shumë të ekipuara sektorët përkatës në momentin kur pala kërkon të flasë në gjuhë tjetër përveç asaj maqedonase dhe ajo në shumicën e rasteve është zgjedhur me zgjidhje ad-hoc në mënyrë kolegiale që të ndihmojnë palën”,- tha kryetarja e Shoqatës “Vlera të përbashkëta”, Razije Jonuzi.
“Ekziston dallim sa i përket mendimit për Ligjin e gjuhëve. Tek shqiptarët etnikë ky qëndrim është pozitiv, ndërsa tek maqedonasit etnikë mendimi mbetet neutral. Qëndrimi gjeneral në të tri ministritë ku është zhvilluar hulumtimi tregojnë qëndrim neutral ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve”,- theksoi prof. dr. Nikolina Kening.
SEKRETARIATI PËR IMPLEMENTIMIN E MO-SË, PLAN AKSIONAR PËR ZBATIMIN E LIGJIT PËR GJUHËT
Ndërkohë, Sektori për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit do përgatisë plan aksionar, i cili do të ngërthejë edhe angazhimin e ekspertëve të huaj që do japin rekomandime për zbatimin e ligjit në praktikë. Po ashtu duhet rritur numri i studentëve në degët përkthim-interpretim.
“Ky problem duhet të zgjidhet në mënyrë afatgjate, kjo mund të bëhet me rritjen e numrit të studentëve të degës përkthim-interpretim dhe subvencionohen këto studime. Po ashtu duhet ndjekur edhe zbatimi i ligjit dhe çështja e ndëshkimeve”,- u shpreh Atulla Kasumi nga Sekretariati për Implementimin e MO-së”.
Sa i përket çështjes se Qeveria nuk ka paraparë punësime të reja dhe punonjësit e administratës do të jenë të angazhuar, profesorët janë të mendimit se do të ketë trajnime adekuate për këta persona dhe se ka numër të madh të ekspertëve të gjuhës që do kontribuojnë në këtë drejtim. (Flutura Latifi, TVM2)
