Maqedoni

Tragjedi në Tetovë, zjarri në një shtëpi u merr jetën pesë personave

25.01.2018 15:53

Katër fëmijë së bashku më nënën e tyre kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre në lagjen “Goce Dellçev” në Tetovë, rreth orës 3:30 të mëngjesit të sotëm....

Zjarrit i ka shpëtuar vetëm kryefamiljari, Sulejman Zulbehari, i cili në momentin e zjarrit nuk ndodhej në shtëpi pasi punonte roje nate. Fëmijët që humbën jetën tragjikisht ishin të moshës 5, 8, 11 dhe 14 vjeçare, ndërsa nëna e tyre ishte 39 vjeçare.
 
Komandanti i NJTKZ-së, Uka Aliti, thotë se zjarrfikësit kanë bërë të pamundurën në tentim për të ndaluar zjarrin dhe ta shpëtojnë familjen, por nuk ia kanë arritur pasi flakët e zjarrit me shpejtësi kanë kapluar shtëpinë mbi 50 vite të vjetër.
 
“Me katër makina dhe 13 zjarrfikës kemi intervenuar menjëherë. Mirëpo, për fat të keq nga zjarri i madh që kishte kapluar këtë shtëpi, kemi edhe viktima. Shtëpitë janë të ndërtuara para 50 vitesh dhe konstruksioni i kulmeve bie në ato shtëpi. Zjarri është lokalizuar, por kemi humbje të mëdha edhe ne si njerëz edhe Tetova”,- u shpreh komandanti i NJTKZ-së, Uka Aliti.
 
Fqinjët e familjes që pësoi tragjedinë me dhembje flasin për humbjen e jetëve të fqinjëve të tyre, ndërkohë që kërkojnë nga pushteti lokal të marrin masa për zgjerimin e rrugëve dhe të mos lejohet parkimi i makinave në rrugë, pasi ato ua vështirësojnë qasjen zjarrfikësve.
 
“Katër fëmijë, edhe nëna pesë, ende presim, pesë orë nga Shkupi për të ardhur, tani kanë ardhur t’i nxjerrin kufomat, po çka bëhet nuk e di. Flasin se zjarri ka ardhur nga kamini që e kanë pasur, po nuk i dihet ende, është ndezur nga kati i dytë e poshtë”,- theksoi një banor.
 
“Po si nuk është rast tragjik, si nuk është tragjedi më e madhe me pesë vdekje, zjarr me pasojë vdekje. Fëmijët kanë qenë nga 14 vjeç, deri në pesë më i vogli”,- tha një banor.
 
“Si mund të themi zjarrfikës, zjarrfikësit një lopatë nuk e kanë, a zjarrfikës u thua, turp për ta. Nuk është lehtë 5 fëmijë me i humbur, ky edhe shtet nuk është”- deklaroi një banor.
 
Në vendin e ngjarjes ishte edhe kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, dhe zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu, të cilët shprehën keqardhje për jetët e humbura. 
 
“Sido që të jetë, organet e policisë, organet e prokurorisë të bëjnë punën e tyre dhe normalisht për ne është me rëndësi të konstatohet ka pasur apo nuk ka pasur, cilat do qoftë lëshime që mund të kishin sjellë deri tek kjo situatë, por sido që të jetë është një fatkeqësi shumë e madhe për ne si qytet dhe ne do të përpiqemi me mundësitë që kemi të ndihmojmë familjen që të tejkalojë këtë dhimbje”,- tha kryetarja e komuna së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Prokurori përgjegjës nga Prokuroria Themelore në Tetovë menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me ekipet e Stacionit Policor të Tetovës dhe Zjarrfikësve po kryejnë hetimet që kanë shkaktuar shpërthimin e zjarrit. 
 
“Prokurori ka ftuar ekip të forenzikës nga Shkupi dhe ekip të EVN-së të cilët duhet të ndihmojnë në vërtetimin e rrethanave dhe arsyet e shpërthimit të zjarrit. Është lëshuar urdhër për obduksion të trupave të gjetur dhe po ndërmerren masa tjera për zbardhjen e rastit”,- kanë informuar nga Prokuroria. 
 
Në vendin e ngjarjes ishin edhe ekipet e mjekësisë ligjore. Ndërsa të trishtuar nga tragjedia në afërsi të shtëpisë u mblodhën shokët dhe shoqet e katër fëmijëve të ndjerë. Si pasojë e zjarrit të mbrëmshëm janë dëmtuar edhe dy shtëpi të tjera, por fatmirësisht tek ato nuk ka pasur viktima.
 
VISAR SADIKI