Botë
Takimi Rama - Tsipras, paralajmërohet marrëveshje në pranverë
25.01.2018 16:40
Në pranverë do të nënshkruhet në Tiranë Dokumenti i Partneritetit Strategjik mes Greqisë dhe Shqipërisë....

Këtë e ka paralajmëruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, pas takimit me homologun e tij grek, Aleksis Tsipras. Takimi është realizuar gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës për Forumin ekonomik botëror. Të dy kryeministrat e kanë njoftuar këtë takim në rrjetet sociale të videos apo fotove nga takimi.
Kryeministri Rama në facebook ka shkruar: “me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, për progresin e bërë deri më tani përmes dialogut dypalësh, në adresimin e çështjeve të bartura të së shkuarës, në funksion të çeljes së një kapitulli të ri partneriteti strategjik për të ardhmen, objektivi i përbashkët është finalizimi i dialogut dhe nënshkrimi në pranverë i Dokumentit të Partneritetit Strategjik në Tiranë”. Po ashtu njoftohet se kryeministri grek, Tsipras, ka pranuar ftesën për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë.
Takimi i sotëm u zhvillua pak ditë pas negociatave triditore të ministrave të jashtëm të dy vendeve në Korçë. Çështjet kryesore të cilat kërkojnë zgjidhje janë caktimi i kufirit detar, Ligji i Luftës, që Greqia e mban ende në fuqi me Shqipërinë, si dhe varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
