Rreziku gjatë operacioneve, Iseni: Mjekët e japin maksimumin, por rreziku ekziston
Rasti i fundit i vdekjes së një 31 vjeçareje gjatë operacionit nga dhënia e gabuar e anestezionit.....

Rasti i fundit i vdekjes së një 31 vjeçareje gjatë operacionit nga dhënia e gabuar e anestezionit, por edhe raste të tjera kur janë fajësuar anesteziologët, ka ngritur shqetësime në opinion se sa të sigurta në fakt janë procedurat operative ku nevojitet anestezioni i plotë.
Sipas anesteziologes, Mynyre Iseni, gjatë shtatzënive, por edhe gjatë të gjitha procedurave operacionale, anesteziologu pacienten duhet ta njohë më herët e jo në ditën e operacionit. Por, gjithsesi, sipas saj, çdo rast është i veçantë.
“Duhet të ketë parapërgatitje dhe të ndiqet pacienti po të jetë nevoja një apo dy javë më parë e të mos thuhet se është rast urgjent nëse nuk është i tillë, që të bëhen parapërgatitje, pasi në rastet urgjente mjeku nuk ka kohë të bëjë por duhet të veprojë për momentin”,- deklaroi anesteziologia, Mynyre Iseni.
Gjatë operacionit, anesteziologu duhet të marrë parasysh më shumë parametra dhe ky është shkaku pse duhet përgatitje paraprake, përveç rasteve urgjente. Nëse anesteziologu nuk jep leje, operacioni nuk mbahet, shpjegon ajo.
“U kisha sugjeruar të gjithë kolegëve, anesteziologëve, gjinekologëve, por dhe kirurgëve, të gjithëve që merren me operativë, të përgatiten paraprakisht pacientët, të mos hyjnë në operacion patjetër pa mos bërë analiza paraprake, qoftë edhe një pasqyrë gjaku, por edhe parametrat e tjerë që kërkohen për një operacion”,- u shpreh anesteziologia, Mynyre Iseni.
Asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në sallat e operacioneve, thotë Iseni, prandaj ekziston procedura e nënshkrimit nga ana e pacientit se është dakord të hyjë në operacion. Por, mjekët bëjnë maksimumin e tyre për të shëruar pacientët, megjithëse gjithnjë ka gjëra të paparashikuara e për këtë nuk ka faj asnjëra palë, thotë Iseni. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
