Maqedoni

Ligji për përdorimin e gjuhëve, Grubi: VMRO të mos e pengojë miratimin; Stojanoska: Ligj antikushtetues, do ta mendojmë

25.01.2018 17:58

Në prag të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lexim të tretë, partitë politike ripërsëritën qëndrimet e pandryshuara...

Sipas BDI-së, propozim ligji duhet të miratohet ashtu siç është propozuar pa asnjë ndërhyrje. Deputeti, Artan Grubi, ftoi deputetët e VMRO-së të tejkalojnë veten pasi ëndërrimi kundër do të dëmtojë vetëm VMRO-DPMNE-në.  
 
“Të vetmit që mund të jenë kundër kësaj arritjeje të madhe janë deputetët e VMRO-së, të cilët i ftojmë që të tërhiqen nga përpjekja ta pengojnë miratimin e këtij ligji, sepse në këtë mënyrë veten do ta dëmtojnë, do të mbesin në linjat e veta partiake dhe assesi në ato shtetërore”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes BESA dënojnë vendimin e presidentit që të mos e dekretojë ligjin. Sipas tyre, ligji edhe pse nuk zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe, ai e avancon atë dhe në asnjë rast nuk e rrezikon karakterin unitar të shtetit, siç pretendon Ivanovi.
 
“Ai është shumë i brengosur për karakterin unitar të shtetit. Karakteri unitar i shtetit nuk rrezikohet nga gjuha e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, ku së paku 25% e qytetarëve e përdorin dhe e kanë gjuhë nënë. Por, karakterin unitar të shtetit e rrezikojnë politikat e papërgjegjshme të përfaqësuesve politikë dhe të bartësve të funksioneve publike”,- u shpreh deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
 
VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, ripërsëriti qëndrimin se Ligji është anti-kushtues dhe se do të intervenojnë me amendamente për të gjitha nenet që konsiderojnë se shkelet Kushtetuta.  
 
“Ligji për dygjuhësi është në kundërshtim me Kushtetutën e RM-së. Ai e rrënon kohezionin në shoqërinë maqedonase dhe e zmbraps përdorimin e gjuhës maqedonase si ind lidhës për të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në vend”,- tha Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas Stojanoskës, deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së do të ndërhyjnë me amendamente për të korrigjuar amendamentet e Ligjit, të cilat pretendojnë se janë në kundërshtim me kushtetutën. 
 
Ligji për përdorimin e gjuhëve do të vihet për miratim në lexim të tretë, ditën e hënë.
 
SHPËTIM NUREDINI