Botë

Thaçi lëshoi takimin ku caktohej seanca e 17 korrikut

12.07.2014 17:34

Vetëm 10 minuta pasi ka nisur takimi i liderëve të partive politike parlamentare në Kuvendin e Kosovës

Vetëm 10 minuta pasi ka nisur takimi i liderëve të partive politike parlamentare në Kuvendin e Kosovës për të caktuar rendin e ditës të seancës konstituive të parlamentit të ri, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi e ka lëshuar takimin.

Pasi ka dal nga zyra ku po mbahet takimi, Thaçi iu ka thënë gazetarëve se arsyeja pse po e lëshon takimin është se “nuk janë respektuar procedurat mbi të cilat duhet të caktohet rendi i ditës të seancës së 17 korrikut”.

“Nuk do të lejojmë kurrfarë force që ta përmbysë votën e qytetarëve”, ka thënë Thaçi.

Takimi që po udhëhiqet nga Jakup Krasniqi, po vazhdon derisa të pranishëm janë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari I AAK-së, Ramush Haradinaj, udhëheqësi i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj dhe liderët e partive të minoriteteve.

Seanca konstituive e Parlamentit të ri të Kosovës do të mbahet më 17 korrik, pasi kështu ka vendosur Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Megjithatë, ende mbetët e paqartë se si do të jetë epilogu i kësaj seance pasi të dy palët, partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, PDK dhe blloku opozitar pretendojnë se pozita e të parit të parlamenti ju takon atyre.