Botë
Takimi Thaçi – Vuçiq: Të gatshëm për vazhdimin e dialogut
25.01.2018 18:20
Vazhdimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ka qenë temë e bisedimeve në takimin mes presidentit të Serbisë...

Vazhdimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ka qenë temë e bisedimeve në takimin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, në Davos. Vuçiç theksoi se gjatë takimit i ka thënë Thaçit se për Serbinë është e rëndësishme që autoritetet të marrin pjesë në hetimin rreth vrasjes së Oliver Ivanoviçit.
“Kam thënë në mënyrë të përsëritur se situata në të cilën Prishtina dhe ne po negociojmë është e tillë që ne të dy jemi disi të pakënaqur dhe të zemëruar, nëse dikush beson se mund të marrë gjithçka derisa nuk i jep asgjë anës tjetër, atëherë kjo është mënyra e gabuar që nuk do të çojë në një zgjidhje”,- u shpreh kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Takimin e ka konfirmuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të madhe si për shqiptarët ashtu edhe për serbët, si dhe për shtimin e sigurisë në rajon.
“Ne biseduam rreth vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje historike ndërmjet dy shteteve. Kjo është e vetmja mënyrë për ruajtjen e paqes dhe hapjen e perspektivës europiane për gjithë Ballkanin Perëndimor”,- theksoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook.
ERSAN PAJAZITI
