Maqedoni

Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”, presidenti Meta vlerëson kreun e BFI-së, Rexhepin

25.01.2018 18:58

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” kryetarin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin...

Titulli i lartë kreut të BFI-së i është ndarë me motivacionin “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”. 
 
Duke vënë në pah se bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme, presidenti i Republikës theksoi: “Ky realitet, ashtu siç na përket të gjithëve, edhe kërkon nga ne që ta ruajmë si sytë e ballit e ta mbrojmë me fanatizëm ndaj çdo fanatizmi fetar, ekstremizmi apo dogme të huaj e përpjekjeje për ta shkëputur nga brendia e saj kombëtare dhe përbashkuese”.
 
Duke falënderuar presidentin Meta për këtë vlerësim, kreu i BFI-së tha se një dekoratë e tillë është nder për çdo shqiptar.
 
“Në historinë tonë të lavdishme kombëtare, heronjtë e atdheut tonë të përbashkët janë të shumtë, sa yjet në qiell, por ylli i karvanit legjendar të një figure të çmueshme kombëtare, figura e të madhit Skënderbe, është e pazëvendësueshme. Prandaj, kur ai përmendet, na kujton se ne kudo që të jemi, çfarëdo që të jemi, nga detyrat, funksionet, jemi shqiptarë. Ky, hero i atdheut tonë të dashur, është simbol i bashkimit për të gjithë ne, është epiqendër e kulturimit dhe e edukimit për brezat dhe ndjenjën e detyrës ndaj atdheut”,- u shpreh kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, kardinali Ernest Simoni (Troshani), ambasadori i Maqedonisë, Stojan Karajanov, i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës, Sylë Ukshini, si dhe deputetë të Kuvendit shqiptar dhe personalitete të shumta.
 
LULJETA NDOKA