Koreja e jugut, zjarr në një spital, 41 të vdekur

26.01.2018 11:18

41 persona vdiqën dhe 70 të tjerë përfunduan me djegie të rënda kur një spital u përshi nga zjarri në Korenë e Jugut...

Flakët e fuqishme përfshinë spitalin “Sejong” në Miryang dhe u përhapën me shpejtësi nëpër reparte. Në momentin e rënies së zjarrit, në godinë ndodheshin rreth 200 pacientë. Në të njëjtën ndërtesë ndodhej edhe një shtëpi përkujdesi për të moshuarit.
 
Bilanci i vdekjeve rrezikon të rëndohet edhe më shumë, sepse disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën. Autoritetet thonë se pjesa dërrmuese e viktimave duket të jenë asfiksuar nga tymi. Në mesin e tyre ka dhe pjesëtarë të stafit spitalor, përfshirë një mjek dhe një infermiere.
 
Autoritetet nisën menjëherë hetimet, por deri tani nuk kanë asnjë të dhënë mbi shkaqet e flakëve. Kompleksi, sipas medieve lokale, nuk kishte sistem kundër zjarrit, por ishte në procesin e instalimit të tij në pjesën e infermierisë. Kjo është fatkeqësia më e madhe e këtij lloji që tronditi vendin prej thuajse një dekade.
 
SEVDIJE OMEROVIQ