Tetova shpall ditë zie
Tetova sot ka shpallur ditë zie për të nderuar pesë anëtarët e familjes Zulbehari...

Tetova sot ka shpallur ditë zie për të nderuar pesë anëtarët e familjes Zulbehari që humbën jetën në fatkeqësinë e zjarrit që shpërtheu në shtëpinë e tyre dje në orët e hershme të mëngjesit.
Fatime Zulbehari dhe katër fëmijët e saj të moshave prej 4 deri në 13 vjet, dje u dogjën nga flakët e zjarrit që shpërtheu në katin e dytë të shtëpisë së tyre gjatë kohës kur ishin në gjumë.
Shkaktari i zjarrit zyrtarisht ende nuk dihet, por dyshohet se ai është shkaktuar nga koftori. Flakët fillimisht kanë përfshirë katin e dytë ku flinin pesë viktimat, pastaj është përhapur edhe në katin e poshtëm ku flinin dy pleqtë e shtëpisë dhe më pas edhe në shtëpinë fqinje. Nga kati i parë kanë arritur të shpëtojnë gjyshja dhe gjyshi i viktimave, ndërsa në shtëpinë fqinje nuk banonte njeri. Rasti tek zjarrfikësit është lajmëruar në orën 4 e 15 minuta, të cilët kanë intervenuar me 21 zjarrfikës dhe nëntë makina. Sipas tyre, intervenimi ka qenë i shpejtë, por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për 4 fëmijët e mitur dhe nënën e tyre, Fatimen.
Komuna e Tetovës mbrëmë mbajti mbledhje emergjente të Këshillit Komunal, me qëllim ndarjen e mjeteve financiare për rregullimin e shtëpive të dëmtuara nga zjarri, ku dhe u soll vendimi që sot Tetova të jetë në zi.
Nga komuna gjithashtu njoftojnë se janë kujdesur për t’i strehuar familjet e viktimave si dhe shprehin ngushëllime për humbjen e të afërmve të tyre. Ceremonia e varrimit të 5 anëtarëve të familjes, që pas tragjedisë humbën jetën si pasojë e zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre, bëhet pas faljes së namazit të Xhumasë te varrezat e reja të qytetit.
