Forumi Botëror Ekonomik, Trumpi: Amerika e para në aspektin e ekonomisë. Politikën e Trumpit e kanë kritikuar liderët në Davos
26.01.2018 13:51
Fjalimi i Donald Trumpit si president i parë amerikan pas 18 vitesh, i cili merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos...

Fjalimi i Donald Trumpit si president i parë amerikan pas 18 vitesh, i cili merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, është ngjarja më tërheqëse e tubimit të elitës globale. Presidenti amerikan gjatë fjalimit të tij ka theksuar vizionin e tij nacionalist të quajtur "Amerika e para" në aspektin e ekonomisë, duke theksuar se liberalizimi i saj dhe legjislacioni i ka bërë Shtetet e Bashkuara tërheqëse për biznesin global.
“Tani është koha për të sjellë biznesin tuaj dhe investimet në Shtetet e Bashkuara. Si president i Shteteve të Bashkuara, gjithmonë do ta vë Amerikën në vendin e parë. Kur Shtetet e Bashkuara rriten, rritet edhe bota. Përveç reformave të brendshme, ne jemi duke punuar në sistemin e reformave ndërkombëtare. Administrata ime është duke ndërmarrë veprime për ta rikthyer pavarësinë dhe vetëbesimin amerikan”,- deklaroi Trump.
Politikën e Trumpit e kanë kritikuar në mënyrë indirekte liderët në Davos. Kryeministri indian, Modi, paralajmëroi se "në vend të globalizimit, forcat e proteksionizmit janë në rritje", si dhe kërcënimi i ndryshimeve klimatike - të cilat padyshim nuk janë prioritet për Trumpin.
Kancelarja gjermane, Merkel, theksoi se proteksionizmi, "helmi" i populizmit të krahut të djathtë dhe mbyllja e botës nuk janë përgjigje, ndërsa kryeministri francez, Macron, theksoi rëndësinë e "strukturës globale të bazuar në multilateralizmin”. Disa pjesëmarrës në forum u kërcënuan të bojkotojnë fjalimin e presidentit të ShBA-së për shkak të komenteve të fundit vulgare për disa vende afrikane.
Më parë, udhëheqësit palestinezë kanë hedhur poshtë kërcënimet nga presidenti amerikan për ndalim të ndihmave nëse nuk pranojnë negociatat me Izraelin, duke thënë që politika nuk do të ndikojë tek populli dhe çështja e Jerusalemit do të vazhdojë të jetë çelësi i paqes rajonale. Trumpi ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u bëjnë thirrje partnerëve të “bllokojnë rrugën e Iranit” drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të sigurohen se Afganistani nuk do të jetë “më kurrë” strehë për terroristët dhe se lufta kundër grupit ekstremist, “Shteti Islamik”, nuk ka përfunduar ende. Duke përmendur ndikimin e Rusisë si eksportues i naftës dhe gazit, Trumpi ka thënë se askush nuk duhet të jetë i varur vetëm nga një shtet sa i përket energjisë.
GAZMEND KURTISHI
