Botë
Maqedonia të tregojë faktet për dënimin e shqiptarëve
12.07.2014 18:37
Shkëlzen Maliqi, këshilltari i kryeministrit Edi Rama shprehet se nëse Gruevski e do një Maqedoni stabile...
Shkëlzen Maliqi, këshilltari i kryeministrit Edi Rama shprehet se nëse Gruevski e do një Maqedoni stabile, atëherë duhet të bëjë më shumë përpjekje që problemet në Shkup të zgjidhen me dialog.
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” duke komentuar situatën e fundit në Maqedoni, ai thekson se kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski duhet të tregojë faktet kyçe që gjykata e Shkupit përdori për dënimin e gjashtë shqiptarëve për rastin “Monstra”, vëren se për këtë proces ka një lloj mistifikimi.
Ai ndalet në deklaratat e partisë VMRO-DPMNE kundër Ramës, por theksoi se edhe partitë politike shqiptare duhet të kenë kujdes dhe duhet ta monitorojnë protestën.
Ai del kundër notës së protestës që Shkupi zyrtar i dërgoi Tiranës e Prishtinës, dhe kujton se kryeministri i Shqipërisë nuk është paternalist dhe nuk kërkon të orkestrojë politikat e shqiptarëve në Maqedoni.
Maliqi shprehet se nuk është koha që në Maqedoni të kemi një luftë të re, dhe nuk është koha për një konflikt ndëretnik të shkallës së lart. Pyetjes se përse Shqipëria qëndron pasive dhe nuk kërcënon, sikundër bëjnë fqinjët kur ju cenohen bashkëkombësit, Maliqi i përgjigjet: “Po ta bënte Shqipëria këtë, nuk do të ishte vetëm Greqia pengesë për integrimin e Maqedonisë”.