Gjykimi për sulmuesit e Ziadin Selës, të akuzuarit: E shpëtuam, nuk jemi fajtorë; Mbrojtja: E lëshuan sepse menduan që ka vdekur

26.01.2018 15:19

Dhjetë të akuzuarit për tentimin për vrasje të deputetit, Ziadin Sela....

Dhjetë të akuzuarit për tentimin për vrasje të deputetit, Ziadin Sela, gjatë ngjarjeve të dhunshme më 27 prill në kuvend, para trupit gjykues deklaruan se ndjehen të pafajshëm.

Mbrojtja këmbëngul se ata e kanë shpëtuar Selën dhe se do të dëshmojnë pafajësinë e tyre. Sipas akuzës, sulmi ndaj Ziadin Selës ka mundur të përfundojë me vdekje pasi që dy nga lëndimet e shkaktuara në kokë janë vdekjeprurëse.

Ai është lëshuar nga sulmuesit jo për shkak të mëshirës ndaj tij, por për shkak të asaj se kanë menduar se është i vdekur, pasi që ai nuk ka dhënë shenja për jetë, shtuan më tej nga prokuroria.

Nga prokuroria thanë se do të shqyrtohet se si deputeti Sela është ndarë nga turma, duke shtuar se në këtë proces do të ketë foto dhe video prova, si dhe dëshmitarë që do të dëshmojnë fajësinë e të akuzuarve, në mesin e të cilëve edhe Talat Xhaferi, Damjan Mançevski, e deputetë të tjerë.

Në seancën gjyqësore nuk mori pjesë Ziadin Sela, ndërsa avokati i tij paralajmëroi dëmshpërblim për dëmet materiale dhe jomateriale.

“Në mënyrën më barbare u sulmuan deputetët, ndërsa ndaj deputetit, Ziadin Sela, pati edhe tentim për vrasje. Ashtu siç tha edhe prokurori në fjalët hyrëse, Ziadin Selën nuk e ka shpëtuar mëshira e të akuzuarve, por vetëm fakti se në moment të caktuar ai nuk ka dhënë shenja jete. Si palë e dëmtuar në këtë fazë të gjykimit kishim të drejtë vetëm të parashtrojmë pjesëmarrje në ndjekjen penale të të akuzuarve dhe gjithashtu paraqitëm kërkesë peonësore juridike për dëmin e shkaktuar material dhe jomaterial ndaj të dëmtuarit, deputetit Ziadin Sela”,- deklaroi avokati i Ziadin Selës, Abidin Abduli.

Në seancën e radhës, më 8 shkurt, do të dëshmojë edhe Sela në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit.

Do të dëshmojnë edhe ekspertë nga mjekësia ligjore për të treguar llojin, karakterin e lëndimeve dhe pasojat që mund të lënë të njëjtat. Nëntë të akuzuarit për këtë vepër ndodhen në paraburgim, ndërsa njëri prej tyre në burg shtëpiak. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)