Maqedoni

Gjykata Penale, arrijnë 100 kërkesat e para për amnisti

26.01.2018 15:59

Rreth 800 të burgosur do të lirohen dhe 97 do të mbajnë dënim më të vogël se 30% pas hyrjes në fuqi të Ligjit për amnisti....

Nga e hëna burgjet do t’i dorëzojnë dosjet e të dënuarve deri te gjykatat ku janë shqiptuar dënimet me burg. Nga Gjykata Penale bëjnë të ditur se gjatë ditës kanë arritur 50% nga lëndët, por për t’u ruajtur afatet ligjore gjykata dhe shërbimet profesionale do të punojnë edhe gjatë vikendit.
 
Lëndët pasi të vërtetohen nga këshillat penalë do të dërgohen deri te Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve. Në Gjykatën Penale do të duhet të arrijnë 1500 lëndë të përfshira në Ligjin për amnisti, prej të cilave 500 janë për amnisti të tërësishme dhe të tjerat për amnisti të pjesërishme.
 
Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve janë të përgatitur t’i dorëzojnë vendimet që i lirojnë të dënuarit nga dënimi me burg, por sa kohë do të nevojitet për t’u liruar të amnistuarit varet nga gjykata që i përgatit vendimet.
 
Me Ligjin për amnisti parashihet të kursehen mjete buxhetore që do shfrytëzohen për ndërtimin e institucioneve ndëshkuese përmirësuese, nevojat për reforma në sistemin gjyqësor, si dhe për risocializimin e të burgosurve. Nuk do të amnistohen personat që janë dënuar me burgim të përjetshëm, personat që kërkohen me fletëarrest ndërkombëtar dhe kryerësit e veprave të rënda penale. 
 
FLUTURA LATIFI