Maqedoni

VMRO-DPMNE: Çavkov, në gjendje të rënduar shëndetësore

26.01.2018 16:29

VMRO-DPMNE kërkon lirimin nga paraburgimi të Mitko Çavkovit për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore...

Nga partia më e madhe e opozitës thonë se shëndeti i tij është përkeqësuar ndjeshëm dhe zemra i punon me 50% të kapacitetit.
 
“Mitko Çavkov ka probleme shëndetësore dhe gjendja e tij po përkeqësohet në burgun hetimor. Zemra e tij funksionon me 50% të kapacitetit. Mitko Çavkov tërë ato vite në punë ia kushtoi shtetit dhe sigurisë së këtij shteti, ndërsa po ky i njëjti tani është pre e padrejtësisë vetëm pse opsioni i tij politik nuk është LSDM-ja”,- thonë nga VMRO.
 
Nga kjo parti kërkojnë nga gjykata që të ndërpresë atë që e cilësojnë si golgotë dymujore të këtyre patriotëve të sinqertë dhe familjeve të tyre, dhe përsërisin qëndrimin që të hiqen masat e paraburgimit të cilat janë të pabaza. 
 
Para festave të fundvitit, gjykata vendosi vazhdimin e paraburgimit për ish-ministrin e brendshëm dhe të akuzuarit e tjerë për dhunën e 27 prillit të 2017 në kuvend.