Maqedoni
Tetova në zi, u jepet lamtumira e fundit viktimave të tragjedisë
26.01.2018 16:34
Tre ditë zie, flamuj të ulur në gjysmë shtizë dhe me një minutë heshtje, komuna e Tetovës ka nderuar katër fëmijët dhe nënën e tyre...

Tre ditë zie, flamuj të ulur në gjysmë shtizë dhe me një minutë heshtje, komuna e Tetovës ka nderuar katër fëmijët dhe nënën e tyre, të cilët e humbën jetën tragjikisht si pasojë e zjarrit që e kaploi shtëpinë e tyre mëngjesin e së enjtes.
Tetova përcolli për në banesën e fundit pesë viktimat e zjarrit, mes qytetarëve të shumtë ishin edhe nxënësit e shkollës ku mësonin tre prej fëmijëve që humbën jetën në mënyrë të tmerrshme.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të nxënësve tanë të shkëlqyer dhe shembullorë, që vdekja padrejtësisht u morri jetën në lulen e fëmijërisë. Në emër të mësimdhënësve dhe nxënësve të Shkollës “Goce Dellçev”, më lejoni që të shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Ne ndajmë dhimbjen me ju dhe e lusim Zotin që kësisoj ngjarje tragjike mos të përsëriten kurrë në trevat tona”,- theksoi një nxënëse.
Komuna e Tetovës ka ndarë 2 milion denarë ndihmë financiare për familjen. 5 mijë euro të tjera ndihmë janë ndarë me vendim të Qeverisë së Maqedonisë.
“Dua të shpreh ngushëllimet familjeve që përpos shtëpive në këtë tragjedi humbën edhe të afërmit e tyre. Ndjejmë të gjithë së bashku dhimbjen e familjes Zylbehari, e cila dje humbi pesë anëtarë dhe u shua një nënë bashkë me fëmijët e saj”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Ende nuk ka ndonjë njoftim nga Prokuroria Themelore e Tetovës e as nga ekspertiza mjekoligjore se cilët ishin shkaqet që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit që shuajti jetët e një familjeje të tërë. Jozyrtarisht flitet se zjarri ka ardhur nga koftori i cili ishte i vendosur në katin e dytë të shtëpisë.
VISAR SADIKI
