Maqedoni
Dita e Kujtesës, përkujtohen 7 mijë viktimat hebrenj të Maqedonisë
26.01.2018 17:27
Maqedonia shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit....

6 milionë njerëz u vranë në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve. 7.320 ishin vetëm nga Maqedonia.
“Sot, duke rikujtuar ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, ne anëtarët e komunitetit hebre në Republikën e Maqedonisë qëndrojmë në vendin ku digjej lagjja e hebrenjve dhe sot është vendosur Qendra memoriale e Holokaustit që t’i nderojmë 6 milionë hebrenj që kanë humbur jetën gjatë Holokaustit”,- deklaroi kryetarja e hebrenjve të RM-së, Bjanka Subotiq.
“Është përgjegjësia jonë dhe obligimi ynë ta shfrytëzojmë këtë histori të tmerrshme për promovimin e pajtimit që të tejkalohen konfliktet dhe të ndërtohet shoqëri më e mirë për të gjithë”,- tha ambasadori i Britanisë së Madhe në RM, Charles Garrett.
“Holokausti dhe ngjarje të ngjashme dëshiroj asnjëherë të mos përsëriten. Jemi duke punuar për avancimin e njohurive dhe mbi ndërtimin e të gjithë faktorëve me përgjegjësi shoqërore, të gjeneratave të reja, punonjësve të arsimit me të gjitha aspektet historike dhe bashkëkohore që kanë të bëjnë me këtë rast të cilësuar më tragjik në historinë e njerëzimit”,- tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska.
Në dhomat e gazit në Auschvitz u vranë më shumë se një milion njerëz. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe romë. Në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në Nderim të Viktimave të Holokaustit.
GYLTENE SINANI
