Maqedoni
Ligji për gjuhët, VMRO me 70 amendamente për të penguar miratimin
26.01.2018 17:56
Ligji për gjuhët të hënën do të gjendet sërish për lexim të tretë në kuvend. VMRO është e vendosur të pengojë me çdo kusht miratimin e tij...

Me kthimin në kuvend të hënën, opozita maqedonase do të përpiqet të tërheqë tekstin e ligjit përmes 70 amendamenteve të dorëzuara tashmë.
VMRO thotë se teksti i ligjit duhet të përgatitet nëpërmjet dialogut, që nënkupton avancimin e të drejtave jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe për gjuhët e komuniteteve të vogla, dhe në të njëjtën kohë të jetë në përputhje me kushtetutën. Por, edhe pse do të kthehen të hënën në kuvend, nga VMRO thonë se kthimi është vetëm për Ligjin e gjuhëve, por bojkoti i tyre vazhdon.
“Të formohen grupe pune, të konsultohen ekspertët dhe të merren parasysh praktikat ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për avancimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë. Por, nuk duam që të miratohen vendime të cilat janë përgatitur shpejt. Nuk është mirë që vetëm të formohet ndonjë koalicion në afat të shkurtër që të bëhen ligje që janë të këqija, të papërfunduara dhe për të cilat shumë njerëz nuk e dinë se si do ta aplikojnë, por as nuk do ta kuptojnë”,- deklaroi Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
