Botë

Tiranë, opozita shqiptare të shtunën në protestë

26.01.2018 17:59

Një ditë para protestës së madhe të opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mohoi të gjithë zërat për protestë të dhunshme....

Kreu i PD-së mblodhi në selinë blu aleatët e tij, por edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin, për t’u rakorduar për protestën. Pas takimit, Basha dhe Kryemadhi përcollën mesazhin se protesta do të jetë paqësore. 
 
“Për çdo informacion e Fake News që shpërndahet për një skenar ndryshe nga ai i një proteste, shpreh panik. Paniku është i justifikuar, pasi nesër do të marrë formë të bashkimit të madh të shqiptarëve për ndryshim, pavarësisht dallimeve. Ne na bashkon dëshira për ndryshim. Shqiptarët e kanë kuptuar, kështu nuk vazhdohet më. Balanca është vendosur në krahun e shqiptarëve të ndershëm. Nuk ka më institucione që mund të mbajnë peng të ardhmen”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
“Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë, nuk do të ketë dhunë. Do të marrim masa të mos jemi pre e provokimeve të punonjësve civilë të shtetit. Protesta e nesërme do të jetë jo vetëm paqësore, por edhe më madhështorja. Do të protestojmë sepse duam të jetojmë në Shqipëri”,- tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
 
Krerët e partive opozitare kanë deklaruar se do të protestojnë për drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët dhe për ekonomi funksionale.
 
LULJETA NDOKA