Maqedoni

Emri, krerët e shtetit gati për koordinimin te presidenti

26.01.2018 18:20

Krerët e shtetit dhe liderët partiakë gjatë ditës së shtunë në Klubin e deputetëve do të diskutojnë rreth kornizës....

Krerët e shtetit dhe liderët partiakë gjatë ditës së shtunë në Klubin e deputetëve do të diskutojnë rreth kornizës fillestare për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, të cilën e ka propozuar ndërmjetësi, Metju Nimic, në New York.
 
Në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme do të marrin pjesë kryeministri, Zoran Zaev, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe liderët e VMRO-së dhe BDI-së, Hristijan Mickovski dhe Ali Ahmeti. Përfaqësuesit qeveritarë do të informojnë për grupin e fundit të ideve dhe për takimin kryeministror në Davos.
 
Takime dhe njoftime do të realizojë edhe kryeministri grek, Alexis Tsipras, në Greqi. Ai veç e veç njofton presidentin e shtetit, ministrat dhe udhëheqësit e partive politike për zhvillimet e fundit në lidhje me ndryshimin e emrit. I pari në agjendë është takimi me partnerin e koalicionit, Panos Kamenos, pastaj një këshilli mini-ministror në pallatin e kryeministrit si dhe një takim me presidentin, Prokopis Pavlopulos.
 
Takime të ndara me udhëheqësit e partive politike janë paralajmëruar për të shtunën. Derisa krerët e të dy vendeve koordinojnë veprimet rreth propozimeve, Athina bëhet gati për protesta më 4 shkurt. Organizatorët e protestës ftojnë njerëzit t’u bashkëngjiten pasi po u kërcënohet, siç thonë, integriteti territorial i vendit.
 
Qeveria greke ripërsërit vazhdimisht se i përmbahet pozitës nacionale për emrin dhe po negociohet për një zgjidhje dobiprurëse për të dyja palët. Por, edhe brenda shumicës parlamentare greke ka mosmarrëveshje.
 
Zëvendëskryetari i Parlamentit helen, Dimtris Kamenos, deputet nga partia “Grekët e pavarur”, deklaron se që t’i jepet fund irredentizmit është i nevojshëm ndërrimi i tërësishëm i kushtetutës së FYROM-it. Gjithsesi, qeveria thotë se ky është mendimi i partisë së Kamenosit, e jo qëndrimi i Qeverisë në Athinë.
 
BESIM ABDULLAI