Maqedoni
Dita e Kujtesës, shqiptarët e dhanë besën dhe i shpëtuan hebrenjtë
26.01.2018 18:31
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, u përkujtuan jo vetëm ata që humbën jetën në kampet naziste...

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, u përkujtuan jo vetëm ata që humbën jetën në kampet naziste, por edhe ata që u sakrifikuan të shpëtojnë jetë njerëzish. Shqiptarët janë populli që nuk e dorëzoi asnjë hebre në kampet e përqendrimit gjatë pushtimit nazist. Dhe ata që shpëtuan, i janë mirënjohës popullit shqiptar. Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët përshkruhet qartë në librin “Jeta ime nën pushtimin nazist” të autores Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi, që u promovua në Shkup.
“Prindërit e mi dhe unë jemi shumë falënderues ndaj popullit shqiptar. Ata na ndihmuan ne, na mbrojtën dhe na dhanë siguri dhe shoqëri gjatë kohës së luftës. Ata u kujdesën për ne dhe na dhanë edhe ushqim për të ngrënë. Me të vërtetë ndjehemi shumë falënderues, sepse shqiptarët na mbrojtën dhe na dhanë të gjitha gjërat e nevojshme si rroba dhe gjëra të tjera”,- tha e bija e Mimi Ergas–Faraxhit, Ita Bartuv.
Për pjesëmarrësit në akademinë me këtë rast, humaniteti është vlerë q duhet të karakterizojë popujt edhe në ditët e sotme.
“Maqedonia sot është aspirante për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në familjen e madhe evropiane dhe them se po bëjmë çmos për të vënë në jetë vlerat për barazi, humanizëm dhe solidaritet. Kjo për shkak se këto janë vlera të mishëruara në premisën e anti-fashizmit, vlera të cilat sigurojnë edhe prosperitetin si arritje qytetëruese në mënyrë që mos të kemi kurrë më krime kundër njerëzimit”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
“Në mungesë të një shteti të drejtë, në mungesë të një kontrate funksionale sociale, shqiptarët janë detyruar të prodhojnë një kod tjetër që do ta zëvendësonte këtë kontratë sociale dhe atij kodi do t’i përshkruajë edhe tipare të mbinatyrshme. Shqiptari ka besuar dhe mund të besojë edhe sot se më lehtë është të dorëzohet jeta se sa të thyhet besa”,- u shpreh drejtori i ITSHKSHM-së, Skender Asani.
“Shumë e vlerësojmë atë që është bërë në Maqedoni për çështjen e Holokaustit, por edhe shumë gjëra të cilat mund të bëhen, si themelimi i një fondi dhe ndërtimi i një muzeu”,- tha ambasadori i Izraelit, Dan Orian.
“Gjermania ka rol të veçantë ndaj Izraelit në luftën kundër terrorit, racizmit dhe anti-separatizmit, si dhe për të rritur vlerat humane të njeriut. Për të gjithë ne është e rëndësishme ta mbajmë në jetë memorien e Holokaustit”,- theksoi ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih.
Besa e shqiptarëve gjatë periudhës më të egër historike për popullin hebre është shpërblyer me mirënjohje të shumta gjatë gjithë këtyre viteve.
ERSAN PAJAZITI
