Maqedoni

BDI dhe BESA përplasen për proporcionet në KZE

26.01.2018 18:35

Grupi parlamentar i BDI-së i ka propozuar Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime që në vend të anëtarit nga radhët e Lëvizjes Besa, Fadil Zendelit...

Grupi parlamentar i BDI-së i ka propozuar Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime që në vend të anëtarit nga radhët e Lëvizjes Besa, Fadil Zendelit, të zgjedh deputetin e BDI-së, Ejup Alimin. Sipas Alimit, kërkesa ka për qëllim që të zhbllokojë punën e këtij komisioni, pasi, siç tha, nëse VMRO publikisht i bojkoton punimet në Kuvend, Lëvizja Besa këtë e bën në heshtje. 
 
“Qëllimi i grupit parlamentar të BDI-së është që ta debllokojë punën e Kuvendit të RM-së. Deri më tash, ky komision nuk ka funksionuar ashtu siç duhet për arsye se VMRO-ja dihet më se ka shpallë bojkot, kurse opozita tjetër, Lëvizja Besa nuk ka shpallur publikisht bojkot, por rri prapa dyerve të Kuvendit dhe aktivitetet e tyre ia kanë pamundësuar funksionimin normal parlamentit, gjegjësisht Komisionit për zgjedhje dhe emërime”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi.
 
Mirëpo, deputeti Zendeli tha se me këtë propozim pretendohet eliminimi i opozitës shqiptare nga ky komision.
 
“Përmes një truku të kësaj natyre të bëjnë ndryshimin e shumicës në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, dhe duke e keqpërdorur vullnetin e mirë që unë si deputet i Lëvizjes Besa apo si përfaqësues i opozitës tregova që të mbahet një mbledhje e natyrës vetëm teknikisht të plotësohen vendet vakante në komisionet dhe në delegacionet e ndryshme”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Ndërkaq, kryesuesi me Komisionin, Hari Llokvenec, nga radhët e LSDM-së, tha se propozimi për një ndryshim të tillë ka qenë i papritur dhe se grupi parlamentar i partisë që përfaqëson ende nuk ka qëndrim.
 
“Bëhet fjalë për propozim që e morëm në seancë, të cilin nuk mund ta komentoj, pasi ne si grup parlamentar, dhe unë jam anëtar i grupit parlamentar të koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja. Ne nuk kemi marrë qëndrim”,- u shpreh Hari Llokvenec nga LSDM.
 
Shumicën e anëtarëve në Komisionin për zgjedhje dhe emërime e ka opozita, si edhe kryetarin e Komisionit. Nga gjithsej 14 anëtarë, shtatë janë të VMRO-DPMNE-së, pesë anëtarë i ka LSDM, një BDI dhe një Lëvizja Besa. 
 
SHPËTIM NUREDINI