Maqedoni
Politika agrare, bujqit ankohen për ndarjen e subvencioneve
26.01.2018 18:52
Çmimet e ulëta të blerjes, ushqimi i shtrenjtë për kafshët, lëndët e para, farat dhe preparatet për mbrojtjen e kulturave janë disa nga problemet të cilat ankohen fermerët në vend....

Ata gjithashtu u shprehën se Ministria e Bujqësisë ka miratuar vendime dhe programe pa i informuar paraprakisht fermerët. Vetëm tre për qind e fermerëve kanë marrë pjesë në programet dhe grupet nënsektoriale që i ka ky institucion.
“Subvencionet ndahen në mënyrë të padrejtë, ka një grup të madh të fermerëve që marrin tokën shtetërore me qira vetëm për të marrë subvencione dhe tokën nuk e punojnë aspak. Ky është një dëm i madh për të gjithë shoqërinë”,- tha fermeri, Sasha Arsiq.
“Bashkëpunimi i shoqërisë civile dhe fermerëve duhet të jetë më transparent, të ketë më shumë takime në terren, të mos flitet vetëm në zyra dhe ajo të mbetet në letër dhe në sirtarë. Por, institucionet të vijnë tek ne fermerët dhe bashkëpunimi të jetë më i madh”,- u shpreh fermerja, Vesna Janevska.
Nga koalicioni rural, i cili e ka kryer hulumtimin, kërkojnë transparencë më të madhe dhe llogaridhënie, si dhe përfshirjen e fermerëve në të gjitha planifikimet strategjike.
“Për fat të keq,problemi qëndron në mungesën e transparencës, me çka informacionet të cilat plasohen në mënyrë selektive, në pika të pjesërishme, ose jo në kohë, nëpër kanale të papërshtatshme dhe fermerët nuk janë të informuar si dhe nuk i besojnë institucioneve. Është e nevojshme llogaridhënia, sinqeriteti dhe përgjegjësia e ministrive edhe atë të jetë në nivelin më të lartë”,- theksoi profesori universitar, Bllagica Sekovska.
Në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dje shpalli dy thirrje publike për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore në mbi 3 hektarë në disa qytete të Maqedonisë. Por, fermerët shprehen se subvencionet dhe toka bujqësore shtetërore u ndahet njerëzve të afërt me qeverinë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
