Botë

ShBA dhe Polonia: Kundër gazsjellësit Rusi-Gjermani

28.01.2018 20:01

SHBA dhe Polonia janë shprehur kundër gazsjellësit të planifikuar për ta lidhur Rusinë me Gjermaninë...

SHBA dhe Polonia janë shprehur kundër gazsjellësit të planifikuar për ta lidhur Rusinë me Gjermaninë, duke thënë se e politizon energjinë dhe i shkatërron përpjekjet për të bërë Evropën më pak të varur nga burimet ruse.

Ky gazsjellës, i njohur me emrin, Rrjedha Veriore 2, do ta anashkaloj Poloninë, ndërsa vendet e Evropës Lindore mbeten të varura nga Rusia.

Duke folur në Varshavë, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha se gazsjellësi “nuk është pjesë e shëndoshë e infrastrukturës” për stabilitetin energjetik të Evropës.

“Sikur Polonia, Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë gazsjellësin Rrjedha Veriore 2”, tha Tillerson në konferencën për gazetarë, së bashku me ministrin e jashtëm të Polonisë, Jacek Czaputowicz.

“Ne këtë e shohim si shkatërrim të stabilitetit të përgjithshëm të sigurisë së energjisë në Evropë , duke i dhënë Rusisë edhe një mjet tjetër për ta politizuar energjinë”, tha Tillerson.

Ky gazsjellës do të jetë i dyti që gazin rus direkt e dërgon në Gjermani dhe Evropën Perëndimore, nëpër Detin Baltik, e jo nëpër Ukrainë dhe Poloni.