Botë
Rusi, protesta pro bojkotit të zgjedhjeve presidenciale
29.01.2018 12:18
Rusët e pakënaqur me perspektivën që edhe gjashtë vitet e ardhshme t’i kalojnë nën presidentin, Vladimir Putin...

Rusët e pakënaqur me perspektivën që edhe gjashtë vitet e ardhshme t’i kalojnë nën presidentin, Vladimir Putin, po protestojnë në gjithë Rusinë, në mbështetje të thirrjes së liderit opozitar, Aleksei Navalny, për bojkot të zgjedhjeve presidenciale, me gjithë vërejtjet e autoriteteve se do të jenë të ashpër ndaj demonstruesve, për të cilët vlerësohet se e kanë shkelur ligjin.
Mbështetësit e Navalnyut, i cili është edhe luftëtar i paepur kundër korrupsionit në Rusi, janë mbledhur sot në qytetet Vlladivostok, Novosibirsk, Irkuts, Omsk, Kemerovo etj. Në Vlladivostok të Lindjes së largët ruse, qindra njerëz janë mbledhur në sheshin kryesor, duke mbajtur mbishkrime në mbështetje të bojkotit të zgjedhjeve dhe slogane ku shkruante “Putini po e gëlltit të ardhmen e Rusisë”.
Policia e ka mbyllur një studio televizive në Moskë që transmetonte lajme për protesta, por kanali i Navalnyt në YouTube ka vazhduar me transmetim direkt të protestave. Projekti joqeveritar për të drejtat e njeriut, OVD-Info, që i monitoron aktivitetet e agjencive për zbatimin e ligjit në të gjithë Rusinë, ka raportuar se policia i ka arrestuar gjashtë mbështetës të Navalnyt në një studio në Moskë dhe më tepër se 30 protestues në pjesët e tjera të Rusisë, shumica prej tyre në qytetin Kemerovo.
