Maqedoni
Ligji për amnisti, Zaev: Pritet drejtësi për shumë të burgosur
29.01.2018 13:54
Kryeministri, Zoran Zaev, thekson se Ligji për amnisti ka për qëllim lirimin e burgjeve...

Kryeministri, Zoran Zaev, thekson se Ligji për amnisti ka për qëllim lirimin e burgjeve të stërngarkuara dhe krijimin e kushteve më të mira në shtëpitë ndëshkuese përmirësuese.
“Ligji për amnisti miratohet pasi që pritet drejtësi për shumë persona të cilët ishin të gjykuar në procese të mëparshme me ligjet e vjetra, ndërsa ligjet e reja i ulën dënimet. Do të përmend Ligjin për transport të migrantëve, kishte aktgjykime prej 8 apo 10 viteve burg, ndërsa pas ndryshimeve ligjore u lejua që edhe me taksi e autobusë të transportohen migrantët. Njëkohësisht më Ligjin për amnisti do të mundësojmë modernizmin e hapësirave të burgjeve. Nëse kapaciteti i burgut më të madh në Idrizovë parasheh 850 të burgosur, për momentin atje ka më shumë se 2000 të burgosur”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Sa i përket punës dhe formimit të sërishëm të Këshillit për reforma, Zaevi njoftoi se janë në përfundim konsultimit me këshilltarët e drejtësisë. Kreu i ekzekutivit nuk e përjashton mundësinë që në këtë këshill të përfshihen të gjitha institucionet gjyqësore, duke filluar nga kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës Penale, Prokurori Publik, Prokuroria Speciale Publike, një nga njësitë e Gjykatave të Apelit, përfaqësues nga Shoqata e Gjykatësve, përfaqësues të Odës së Avokatëve, praktikantë, ekspertë, profesorë etj.
Në pyetje të gazetarëve se çfarë këshilla mund të japë kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, i cili me vendimet e tij mundësoi arratisjen e personave të akuzuar nga PPS, Zaev tha:“Për mua, duke filluar nga Zoran Zaevi e deri tek cilido funksionarë, gjithçka është e kalueshme dhe e ndryshueshme, ashtu që nuk i shohim gjërat personalisht. Ja Gjykata e Apelit ka kryetar, që është në fund të mandatit të tij, por ne shkojmë me Apelin dhe nuk e dimë nëse do të jetë kryetari aktual dhe sa do të zgjasë mandati i tij, apo do të jetë një person tjetër. Nuk shkojmë sipas emrit dhe mbiemrit të personave që udhëheqin institucionet, por Gjykata Supreme në këtë lloj këshilli nuk guxon të mos përfaqësohet”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Për shkak të disa mosmarrëveshjeve brenda Këshillit për Reforma pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila solli edhe strategjinë për reforma, i njëjti pushoi së ekzistuari. Këshillin e ri, emrat e të cilëve do të dihen së shpejti, do ta kryesojë kryeministri, Zoran Zaev.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
