Rasti “Mitmarrja”, prokurori në udhëtim zyrtar, anulohet seanca
Është shtyrë për më 26 shkurt seanca e radhës për rastin “Mitmarrja”....

Është shtyrë për më 26 shkurt seanca e radhës për rastin “Mitmarrja”, në të cilin i akuzuar kryesor është kryeministri Zaev, njofton “TVM2”.
Arsyeja për këtë shtyrje është udhëtimi zyrtar i prokurorit publik. Seancat e fundit për këtë rast janë anuluar pas kërkesës së mbrojtjes që video-incizimet e publikuara në youtube mos të jenë dëshmi në këtë proces.
Pasi Penalja hodhi poshtë këtë kërkesë, mbrojtja u ankua në Gjykatën e Apelit, e kjo e fundit e ktheu lëndën për vendim të sërishëm në Gjykatën Penale.
Pas anulimit të seancës, kryeministri Zaev deklaroi se pret gjykim të shpejtë dhe transparent, meqë për të si politikan dhe funksionin që bart është me rëndësi të ketë fytyrë të pastër para opinionit.
Zoran Zaev në rastin “Mitmarrja” akuzohet se gjatë kohës që ushtronte funksionin e kryetarit të komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet prej 160 mijë euro nga biznesmeni, Ivan Nikollov, për një tokë ndërtimore në Strumicë. Gjykatësi i lëndës, Darko Todorov, paralajmëroi se në seancën e radhës do të thërritet si dëshmitar edhe biznesmeni, Nikollov.
