Ligji për amnisti, burgjet filluan dorëzimin e dosjeve në Penale

29.01.2018 15:56

Në Gjykatat Penale ka filluar dorëzimi i dosjeve nga burgjet për të burgosurit.....

Në Gjykatat Penale ka filluar dorëzimi i dosjeve nga burgjet për të burgosurit që përfitojnë nga Ligji për amnisti, njofton “TVM2”.

16 dosje të kompletuara kanë mbërritur tashmë në Sektorin për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës në Shkup, më shumë se 100 kërkesa të tjera që kanë arritur edhe në sektorët e tjerë, por numri ndryshon vazhdimisht, thonë nga gjykata, të cilët presin që deri në përfundimin e afatit ligjor të mbërrijnë edhe kërkesat e tjera, e më pas opinioni do të informohet për numrin e saktë të kërkesave për të burgosurit që përfitojnë nga Ligji për amnisti.

Gjykatat Penale kanë  afat deri të premten t’i shqyrtojnë dosjet dhe të sjellin vendime. Pritet që rreth 800 të burgosur  të lirohen nga burgu,  ndërsa  3.097 të tjerëve dënimi aktual t’u zvogëlohet për 30 %.

“Prej sot në mëngjes, në Gjykatat e Maqedonisë kemi dorëzuar gjithsej 500 dosje, nga ato pritet të lirohen 433 të burgosur, kurse dënimi për 30% do t’u ulet 1.050 të burgosurve. Brenda javës fillon lirimi i menjëhershëm i atyre që lirohen, kurse të tjerëve do t’u përgatitet dosje për dërgim nëpër gjykatat përkatëse”,- tha zëvendësdrejtori i Burgut të Idrizovës, Sadush Arifi.

Kryeministri Zaev theksoi se Ligji i amnistisë ka për qëllim uljen e numrit të të dënuarve në burgjet e stërngarkuara dhe krijimin e kushteve më të mira në shtëpitë ndëshkuese përmirësuese.

“Me Ligjin për amnisti do të mundësojmë modernizmin e hapësirave të burgjeve. Nëse kapaciteti i burgut më të madh në Idrizovë parasheh 850 të burgosur, për momentin atje ka më shumë se 2000 të burgosur. As nuk mundemi t’i çojmë diku tjetër, as të rekonstruojmë hapësira të caktuara. Kemi obligime ndaj qytetarëve dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e ato duhet t’i përmbushim. Besoj se sollëm një zgjidhje të drejtë për të gjithë. Ata që nuk përfituan nga amnistia, askund në botë nuk amnistohen”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Kryeministri Zaev potencoi gjithashtu se po punohet për implementimin e strategjisë për reforma në sistemin gjyqësor. Në Këshillin e reformave ekziston mundësia për përfshirjen edhe të kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe asaj Penale, të Prokurorisë Publike dhe Speciale, nga një përfaqësues të Gjykatës së Apelit, Shoqatës së Gjykatësve, të Odës së Avokatëve, ekspertë të fushës etj.

Në pyetjen e gazetarëve se çfarë këshilla mund të japë kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangeovski, i cili me vendimet e tij mundësoi arratisjen e personave të akuzuar nga PPS, Zaev dha përgjigje se vendimet nuk merren duke pasur parasysh funksionarët aktualë, por postin që ata përfaqësojnë dhe kjo do të thotë se në këshill patjetër duhet të ketë përfaqësim të Gjykatës Supreme, pa marrë parasysh nëse do të ndërrohet ose jo kryetari i saj.

Për shkak të disa mosmarrëveshjeve brenda Këshillit për reforma pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila solli edhe Strategjinë për reforma, i njëjti pushoi së ekzistuari. Këshillin e ri, emrat e të cilëve do të dihen së shpejti, do ta kryesojë kryeministri, Zoran Zaev. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)