Maqedoni

Kontesti për emrin, partitë politike me vlerësime të ndryshme

29.01.2018 16:17

Kryeministri Zaev thotë se Maqedonisë i duhen zgjidhje për të cilat janë të rëndësishme edhe mendimet e opozitës...

Kryeministri Zaev thotë se Maqedonisë i duhen zgjidhje për të cilat janë të rëndësishme edhe mendimet e opozitës, marrë parasysh momentin e  rëndësishëm në të cilin gjendet vendi, atij të zgjidhjes së dallimeve me Greqinë për emrin. Por, sipas tij, fjalën e fundit populli do ta thotë në referendum.
 
“Qëndrimi i LSDM-së është gjetja e një zgjidhjeje bashkë me opozitën, e në fund kjo zgjidhje të vërtetohet në një referendum. Nuk është gjë kaq e tmerrshme, tragjike apo e pamundur. Referendum do të organizohet sipas ligjeve, me procedurë të përshpejtuar, nëse pas të cilit qëndrojmë të gjithë ne, para së gjithash politikanët, që të shprehim haptas qëndrimet tona, të ndihmojmë qytetarët, në mënyrë që ai që do të dalë në referendum të thotë qartë qëndrimin e tij”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Por, BDI rekomandon që zgjidhja për emrin të gjendet në mënyrën e njëjtë të arritjes së marrëveshjes me Bullgarinë, duke shmangur referendumin i cili, sipas BDI-së, do të nxiste mbajtjen e një të tilli edhe në Greqi, duke e vështirësuar kështu procesin. 
 
“Duhet të arrihet konsensus sa më i gjerë, megjithatë shteti është ai që duhet ta marrë përgjegjësinë dhe se është i mjaftueshëm të shfrytëzohet principi si me Bullgarinë. Të zgjidhen çështjet e emrit pa referendum, megjithatë ky është qëndrimi partiak. Mendojmë se kjo do të nxisë të njëjtën praktikë tek pala tjetër dhe duke marrë parasysh kontestet kjo mund të bllokojë procesin për një periudhë më të gjatë”,- u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Opozita shqiptare, ndërkohë, kritikon anashkalimin e saj në arritjen e një konsensusi nacional për emrin dhe pyet qeverinë nëse do të ftojnë në referendumin eventual edhe ata që votuan për opozitën shqiptare, apo nuk kanë nevojë për votat e tyre. 
 
“Hipotetikisht po pyes, nëse do të duhet që çështja e emrit të vihet në referendum, a do t’i duhen kryeministrit 50.000 votat e Aleancës, rreth 50.000 votat e Lëvizjes Besa dhe a i duhet kësaj çështje vota e çdo qytetari? Prandaj them që është shumë e rëndësishme që në këtë proces negociatash të marrë pjesë edhe opozita, e dënojmë përjashtimin që i bëhet opozitës shqiptare”,- tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Për VMRO-në, zgjidhja e vetme është ajo që nuk do të shkelë interesat nacionale të vendit.
 
“VMRO-DPMNE mbetet në mbrojtje të interesave nacionale dhe shtetërore. Me keqardhje konstatoj atë që shkruhet në media, se për zgjidhjen e këtij kontesti shumëvjeçar mes vendit tonë dhe Greqisë ende jo vetëm në shoqëri por dhe mes konkurrentëve politikë ne Greqinë fqinje nuk ekziston konsensus. Apeloj që sa më shpejtë të gjendet një konsensus dhe t’i vijë fundi zgjidhjes së kësaj çështje që ka Maqedonia me Greqinë”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Ende nuk dihet se me çfarë qëndrimi do të dilet para ndërmjetësit Nimic gjatë vizitës së tij pas dy ditësh në Shkup.
 
Kryeministri Zaev deklaroi vetëm se ekziston tashmë një aspekt i dakorduar për qasje në procesin e bisedimeve dhe para negociatorit do të paraqiten të gjitha qëndrimet dhe argumentet e palëve.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU