Maqedoni

35 mijë amendamentet e opozitës, Zaevi: ngecja e reformave rrezikon integrimin; Osmani: VMRO vazhdon të mos ndryshojë

29.01.2018 16:34

Kryeministri Zaev pret që opozita të tregohet e arsyeshme me 35 mijë amendamentet që i ka dorëzuar dhe të mos e bllokojë Ligjin për gjuhët...

Kryeministri Zaev pret që opozita të tregohet e arsyeshme me 35 mijë amendamentet që i ka dorëzuar dhe të mos e bllokojë Ligjin për gjuhët, veçanërisht tani kur vendi ka shans të marrë rekomandim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
 
Zaevi thotë se opozita ka të drejtë të japë amendamente, por jo edhe të bllokojë punën e kuvendit. Një situatë e tillë, sipas Zaevit, mund të reflektojë procesin reformues. 
 
“Maqedonia gjendet para një klime pozitive, me mundësi për marrjen e rekomandimit për çeljen e bisedimeve me BE-në, e shpresoj në qershor edhe për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve. Nëse ne ngecim me reformat, nuk mund të them se po ecim në këtë drejtim, por shpresoj që opozita do të tregohet e arsyeshme e do t’i përmbahet rregullores së Parlamentit”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Edhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, vlerëson se Ligji është tërësisht në kuadër të Kushtetutës dhe plotëson frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Sipas tij, as Ivanovi e as VMRO nuk e shfrytëzuan shansin për të treguar se punojnë për një shoqëri ku të gjithë janë të barabartë. 
 
“Më vjen keq që presidenti nuk e nënshkroi ligjin dhe nuk arriti të shfrytëzojë vitin e fundit të mandatit të tij, që të jetë faktor koheziv në shoqëri. Por, është për t’u ardhur keq që edhe partia opozitare, VMRO-DPMNE, nuk e shfrytëzoi këtë moment që t’i vërtetojë pretendimet e saj pas zgjedhjeve brenda saj, se kanë qenë të keqkuptuar në lidhje me qëndrimet antishqiptare dhe se kanë gabuar ndaj shqiptarëve. Patën mundësi që të jenë senzitivë ndaj këtyre pyetjeve, pasi që në asnjë mënyrë përparimi i mundësisë të shqiptarëve për ta shfrytëzuar gjuhën e tyre në institucione nuk kërcënon të drejtën e asnjë komuniteti etnik, aq më pak nuk kërcënon unitaritetin e shtetit apo vet shtetin, por përkundrazi, e rrit kohezionin në shoqëri, lojalitetin e bashkësive etnike në vigjilje të sfidave të cilat do t’i ketë shteti në periudhën e ardhshme”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Sipas Osmanit, Ligji i gjuhëve do të miratohet në afatin e paraparë, bashkë me të gjitha ligjet tjera evropiane.  
 
ERSAN PAJAZITI