Maqedoni
Ligji për mbrojtjen e privatësisë, rregullore radikale në mbrojtje të qytetarëve
29.01.2018 17:09
Qytetarët e Maqedonisë në të ardhmen të dhënat e tyre personale do t’i kenë të mbrojtura me ligj sipas standardeve të Unionit Evropian dhe standardeve ndërkombëtare...

Qytetarët e Maqedonisë në të ardhmen të dhënat e tyre personale do t’i kenë të mbrojtura me ligj sipas standardeve të Unionit Evropian dhe standardeve ndërkombëtare, u tha me rastin e Ditës Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Me këtë rast u përmbyll edhe projekti “Mbështetja e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale", i financuar nga Unioni Evropian.
“Bëhet fjalë për një rregullore tërësisht të re me zgjidhje radikale. Besojmë që me ligjin, i cili në Bruksel është në konfirmim përfundimtar, edhe Maqedonia brenda vitit 2018 do ta fusë në fuqi Ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale të çdo qytetari në vend, njëlloj si në vendet e BE-së”,- deklaroi drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, Goran Trajkovski.
“Kjo do ta përmirësojë dukshëm situatën për mbrojtjen e të dhënave personale në Maqedoni sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, ne do të punojmë me të njëjtin model. Në Maqedoni privatësia e qytetarëve, të dhënat personale të tyre nuk janë të mbrojtura institucionalisht, por presim që kjo të përmirësohet në të ardhmen”,- tha drejtuesja e ekipit te projektit të BE-së, Desislava Toshkova.
Projekti filloi në nëntor të vitit 2015 dhe brenda 27 muajve të zbatimit të tij ka përmirësuar kuadrin e përgjithshëm ligjor dhe institucional për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
