Maqedoni
Autostrada Kërçovë – Ohër, MTL: gati aneks marrëveshja me firmën kineze
29.01.2018 17:26
Qeveria është në fazën përfundimtare të bisedimeve me firmën kineze “Sinohidro” për vazhdimin e afatit të ndërtimit të autostradës Kërçovë - Ohër..

Qeveria është në fazën përfundimtare të bisedimeve me firmën kineze “Sinohidro” për vazhdimin e afatit të ndërtimit të autostradës Kërçovë - Ohër, ku pritet të përcaktohet afati dhe shuma e shtesë e nevojshme për përfundimin e autostradës.
Ministri i Transportit, Goran Sugarevski, thotë se këto ditë më në fund do të nënshkruhet kontratë me firmën kineze, e cila skadon brenda pak ditësh. Gjithashtu po punohet edhe për ndërtimin e rrugës nga kjo autostradë deri në kufirin e Qafë Thanës dhe nga Gostivari në Kërçovë.
“Në kuadër të Korridorit 8 është parashikuar përfundimi i ndërtimit të rrugës deri në Qafëthanë, në kufi me Shqipërinë, autostrada Kërçovë - Ohër gjithashtu në fazën finale është përfundimi i projektit dhe pritet të fillohet të ndërtohet edhe rruga Kërçovë – Gostivar, ndërsa në Maqedoninë Lindore planifikohet ndërtimi i autostradës nga Rankovci deri në Kriva Pallankë dhe rruga nga Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.
Drejtori i NP "Rrugët shtetërore", Zoran Kitanov, theksoi se, sipas vlerësimeve, do të duhet rreth 36 muaj për përfundimin e autostradës Kërçovë -Ohër. Ai shtoi se Korridori 8 në pjesën nga Kumanova deri në pikën kufitare në Bullgari do të përfundojë për një periudhë kohore prej tre deri në katër vite.
“Mundohemi në pjesën të cilën duhet ta ndërtojnë nga Kumanova deri në kufirin me Bullgarinë, të mos i kemi problemet të cilat i kemi në Korridorin 8 gjatë ndërtimit të rrugës Kërçovë - Ohër, për atë arsye tani hymë me më shumë kujdes gjatë përpilimit të projektit”,- tha drejtori i NP "Rrugët shtetërore", Zoran Kitanov.
Në vitin 2018 parashikohet të investohen rreth 270 milionë euro për ndërtimin, rikonstruimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në vendin tonë.
GAZMEND KURTISHI
