Ligji për gjuhët futet në rend dite
Tensione në seancën ku parashihet miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve....

Tensione në seancën ku parashihet miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë. Deputetët e VMRO DPMNE-së, ashtu siç paralajmëruan, u kthyen për të penguar miratimin e këtij ligji. Obstruksionet filluan që në fillim, pas hapjes së seancës me propozime të ndryshme, si: heqja e ligjit nga rendi i ditës ose zhvendosja e saj si pikë e fundit.
Pas katër orëve përpjekje, Kuvendi miratoi rendit e ditës së seancës të 32, ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve është pika e tetë.
VMRO U RIKTHYE PËR TË PENGUAR LIGJIN PËR GJUHËT
“E dimë pse u shpejtohet për Ligjin për dygjuhësi, jo sepse është i nevojshëm për integrimin e Maqedonisë në BE, por sepse paraqet nevojë për mbijetesën e Qeverisë. Shumica parlamentare, nëse me të vërtetë është e interesuar për ligjet dhe prioritet evropiane, Qeveria dhe Kuvendi duhet ta tërheqin atë ligj”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
XHAFERI: ZBATOJ RREGULLOREN DHE AFATET
“Pas vendimit të kryetarit të shtetit që të mos e nënshkruaj dekretin për të shpallë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili më 11 janar e mori mbështetjen e shumicës prej 69 vota dhe në votimin e dytë sipas Badenterit shumicën prej 27 votave sa i takon prezencës së deputetëve nga bashkësitë joshumicë. Në këtë kontekst, sipas procedurës, Kuvendi dhe unë si kryetar jemi të detyruar që në afat prej 30 ditësh sërish ta kthejmë ligjin në shqyrtim, në kuptim të asaj që parasheh Rregullorja, dhe kjo është arsyeja”,- u shpreh kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
SELA: VMRO MOS TË BLLOKOJË NJË TË DREJTË TË SHQIPTARËVE
Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, deputeti, Zijadin Sela, ftoi deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE të heqin dorë nga tentimi për të penguar miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, edhe pse, siç tha, ky ligj nuk e kënaq kërkesën e shqiptarëve për zyrtarizimin e shqipes.
“U bëj apel të heqin dorë nga ato dhjetëra mijëra amendamente të stisura në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet ekzistuese vetëm e vetëm për të bllokuar një të drejtë të shqiptarëve këtu në Maqedoni”,- theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Për të penguar miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, VMRO-DPMNE ka parashtruar 35 569 amendamente, prej të cilave shumica kanë të bëjnë me dispozitat ndëshkuese. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
