Maqedoni
Rasti “Tank”, anulohet gjykimi për Mercedesin luksoz të MPB-së
30.01.2018 15:29
Është anuluar seanca e parë gjyqësore për rastin e PPS–së “Tank”, që ka të bëjë me blerjen joligjore të Mercedesit luksoz prej 600 mijë eurove...

Gjykimi u anulua me kërkesë të palës mbrojtëse të të akuzuarit të tretë, Gjoko Popovski, i cili gjatë ditës së djeshme ka angazhuar avokatin në fjalë dhe i njëjti për shkak të intervalit të shkurtër kohor nuk ka qenë në mundësi të përgatisë mbrojtjen. Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, i akuzuar në këtë rast, arriti me vonesë në gjykimore teksa ekipet televizive kishin marrë insertet nga seanca.
Për gjestin e tillë, Gruevskit iu tërhoq vërejtja nga gjykatësja e rastit, Dobrilla Kacarska. Ish-ministrja, Gordana Jankullovska dhe Gjoko Popovski akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, ndërsa Nikolla Gruevski për marrjen e shpërblimit dhe ndikimit joligjor.
Ai nga Jankullovska ka kërkuar që të sigurohet Mercedes i cili do të jetë në pronësi të MPB-së, por që do ta përdorë ai dhe familja e tij larg opinionit, pas çka Jankullovska e ka përmbushur urdhërin.
Rastet e PPS-së, anulohet gjykimi për “Toplik” dhe “Trust”
Njëherit në Gjykatën Penale sot janë zhvilluar edhe dy gjykime të PPS-së, rasti “Trust” dhe rasti “Toplik”. Gjykimi i sotëm për rastin “Toplik”, ku i akuzuar është ish-ministri, Mile Janakievski, dhe pesë persona të tjerë për shitjen e parcelës ndërtimore në Sopishtë të Shkupit, është anuluar.
Avokatët para fillimit të seancës kërkuan që të hiqet ekspertiza nga dokumentacioni i dëshmive të PPS-së me arsyetimin se eksperti ka lidhje familjare me të punësuar në PPS. Rreth kësaj kërkese gjykata do të vendosë në mënyrë plotësuese.
Në ndërkohë, gjykimi për rastin “Trust” është anuluar për shkak se gjykatësja, Lidija Zimbovska, është në pushim mjekësor. Në këtë rast akuzohet biznesmeni, Sead Koçan, dhe dy persona fizikë dhe tre juridikë, në mesin e të cilëve edhe drejtuesit e firmave “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” për pjesëmarrje në tender të ELEM-it në vlerë prej 17 milionë eurove me dokumente të falsifikuara.
