Transparenca buxhetore, Maqedonia ndër vendet me më pak transparencë
Maqedonia është renditur ndër vendet me transparencë më të ulët buxhetore në botë...

Maqedonia është renditur ndër vendet me transparencë më të ulët buxhetore në botë, duke mos ua lënë qytetarëve mundësinë që të kenë informacione se si shpenzohen paratë publike, ka treguar hulumtimi “Buxhet i hapur (OBI) 2017”, i realizuar në 115 shtete.
Në radhitje Maqedonia mori 37 pikë për transparencë, 0 pikë për përfshirjen e qytetarëve në procesin e harxhimeve të parave publike dhe 56 pikë për mbikëqyrjen e buxhetit. Nga Qendra për Analiza Ekonomike thonë se janë të nevojshme ndryshimet e mëdha në disiplinën fiskale dhe transparencën me qëllim që sistemi i buxhetit mos t’i shërbejë elitave të fuqishme.
“Nga planifikimi, implementimi, vendimet për dokumente të rëndësishme e deri tek revizioni, Maqedonia ka 0 pikë. Opinionit të RM-së, trupi ligjvënës dhe ekzekutivi nuk i kanë mundësuar mekanizma për pjesëmarrje të opinionit në procesin buxhetor. Pa mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve, veçanërisht kategorive të margjinalizuara ose të prekura, sistemi buxhetor mund t'u shërbejë vetëm elitave të fuqishme”,- deklaroi kryetari i QAE-së, Marjan Nikollov.
Nga Ministria e Financave thonë se janë bërë 12 ndryshime kryesore për të përmirësuar transparencën e financave publike.
“Janë publikuar raporte për realizimin e buxhetit nga përdoruesit e tij në baza mujore, raportet tremujore mbi realizimin e buxheteve komunale, raportet tremujore mbi realizmin e buxhetit të përgjithshëm të qeverisë, është përmirësuar edhe raporti gjysmëvjetor për realizimin e Buxhetit të RM-së dhe për herë të parë përmban të dhëna për të gjithë përdoruesit buxhetor”,- u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Jovana Avbramovska.
Përveç kësaj, nga Ministria e Financave thonë se do të bëhen analiza për atë nëse do të rritet pragu i tatimimit me TVSh të personave fizikë duke thënë se kanë dëgjuar mendimin e opinionit dhe nëse ka ndryshime qytetarët do të informohen. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
