Ligji për përdorimin e gjuhëve, përkthehen 17 mijë amendamente nga 35 mijë gjithsej
Ende nuk dihet se kur do të fillojë shqyrtimi i amendamenteve të opozitës...

Ende nuk dihet se kur do të fillojë shqyrtimi i amendamenteve të opozitës rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Shërbimet e Kuvendit kanë përkthyer mbi 17 mijë amendamente nga 35 mijë gjithsej.
XHAFERI FTON VMRO-NË QË TË TËRHIQET
Kryetari i Kuvendit pret që VMRO-DPMNE të heq dorë nga vendimi politik për të bllokuar këtë ligj dhe të tërheq amendamentet e propozuara, pasi, sipas tij, nuk është Kuvendi ai që shqyrton kushtetutshmërinë e ligjeve të miratuara, ndërsa ligji në fjalë gjatë procedurës kuvendore ka marrë vizën e Komisionit për çështje juridike, i cili shqyrton përputhshmërinë e propozim ligjeve me Kushtetutën dhe ligjet e tjera.
Xhaferi i bën thirrje koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE që të mos frenojë punën e Kuvendit në një periudhë delikate, kur duhet të miratohen shumë ligje të nevojshme për procesin reformues.
DIMOVSKI: TËRHIQNI LIGJIN, DUAM KONSENSUS SHOQËROR
Në ndërkohë, VMRO-DPMNE fton kryeparlamentarin Xhaferi që të respektojë procedurën dhe të krijojë mundësi që të pranohen qëndrimet e ndryshme.
“Apeli im për z. Xhaferin është që të arsyetojë në kahje tjetër. Të gjykojë në drejtim, se pikërisht ai e ka rolin që të sigurojë funksionim normal të Kuvendit të RM-së dhe të mundësojë që në procedurë demokratike dhe juridikisht të qëndrueshme të pranohen qëndrimet e segmenteve të ndryshme të elitës shoqërore dhe politike. Parashtrimi i 35 mijë amendamenteve nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Maqedoni më të Mirë ka për qëllim që të zgjojë vetëdijen te shumica parlamentare, te Qeveria e RM-së dhe të gjitha subjektet rreth Qeverisë së RM-së”,- u shpreh koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
VMRO konsideron se për çështje me karakter të këtillë nuk mjafton vetëm konsensusi politik, por duhet pasur edhe konsensus shoqëror, prandaj kërkon që të tërhiqet ky ligj dhe pas një debati të gjerë dhe transparent të ofrohet në zgjidhje tjetër.
Mirëpo, Xhaferi thotë se Ligji tanimë është miratuar dhe kthim pas nuk ka. Ai nuk përjashton mundësinë që Kuvendi të diskutojë çdo nen veç e veç dhe nëse duhet të humbasë mbi gjashtë muaj vetëm për miratimin e këtij ligji, në lexim të tretë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
