Botë
ShBA publikoi “Raportin e Kremlinit”, Putini: raporti është akt armiqësor
30.01.2018 17:13
Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar listën në të cilën janë të përfshirë 210 zyrtarë rusë dhe miliarderë...

Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar listën në të cilën janë të përfshirë 210 zyrtarë rusë dhe miliarderë, të cilët konsiderohen të afërt me Putinin dhe në të ardhmen mund të përballen me sanksione.
I publikuar sot, i ashtuquajturi Raporti i Kremlinit, përbëhet nga 114 figura politike ruse dhe 96 “oligarkë”, për të cilët autoritetet amerikane thonë se kanë fituar pasuri apo fuqi përmes lidhjeve me Putinin. Megjithëse Departamenti i Thesarit u kujdes të sqaronte se kjo listë nuk nënkupton sanksione të reja. Presidenti rus, Vlladimir Putin, e ka cilësuar listën “akt armiqësor”.
Ai ka thënë se kjo mund të komplikojë marrëdhëniet me Uashingtonin, të cilat edhe ashtu tanimë janë të tensionuara.
“Ne nuk kemi qëllim të përshkallëzojmë situatën”, ka thënë Putin.
“Dëshirojmë dhe synojmë që me durim të ndërtojmë marrëdhënie të çfarëdo shkalleje për të cilat është e gatshme ana amerikane”, ka thënë ai në një takim me mbështetësit e tij në fushatën për rizgjedhjen si president.
Por, sipas Putinit, Shtetet e Bashkuara kanë synuar targetimin e çdo qytetari rus, mirëpo në të njëjtën kohë ka dhënë shenja se Moska mund të mbetet e heshtur.
Vlera e pasurisë së personave të përfshirë në raport mbërrin në një miliard dollarë apo më shumë. Në mesin e oligarkëve të profilit të lartë gjendet edhe emri i Roman Abramovichit.
E ashtuquajtura “listë e Putinit” evidenton praktikisht njerëzit që kanë bërë pasuri, ose kanë fituar pushtet nga shoqërimi me presidentin rus.
Vendimi vjen në kohën e kritikave të vazhdueshme ndaj presidentit amerikan se administrata e tij është "shumë e butë" ndaj Rusisë dhe në kohën kur vazhdon hetimi për ndikimin e pretenduar të Moskës në fitoren zgjedhore të Trampit në vitin 2016.
Në këtë linjë ishte edhe një prononcim i drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, i cili për BBC-në ka thënë se Rusia do të ketë cak zgjedhjet afatmesme amerikane në nëntor, si pjesë të përpjekjeve të Kremlinit për të ndikuar politikën e brendshme të Perëndimit.
I pyetur nëse Rusia do të tentonte për të ndikuar në këto zgjedhje, shefi i CIA-s ka thënë “natyrisht, kam shumë pritshmëri se ata do të vazhdojnë ta bëjnë atë”.
Por, ai ka shprehur bindjen se Amerika do të jetë e gatshme të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta, të cilat nuk do të jenë të ndikuara nga këto tentime.
SEVDIJE OMEROVIQ
