Shilegov: Për ajër më të pastër, në vend të automjeteve të shfrytëzojmë biçikleta
Ajri në kryeqendrën e vendit vazhdon të jetë i ndotur.....

Ajri në kryeqendrën e vendit vazhdon të jetë i ndotur. Në dy ditët e fundit grimcat PM10 kaluan kufirin e lejuar, prandaj prej sot janë rikthyer masat kundër ndotjes, përfshirë transportin publik falas, ndërprerjen e aktiviteteve ndërtimore dhe lirimin nga puna të grave shtatzëna, të moshuarit mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë.
“Menjëherë urdhërova shërbimet në Qytetin e Shkupit dhe Ndërmarrjen Publike Qarkulluese që transporti publik të jetë falas, të rritet mbikëqyrja inspektoriale, të ndërpriten aktivitetet ndërtimore. Ftoj edhe MPB-në që të kryejë sa më shumë kontrolle ndaj makinave që ndotin ajrin dhe pres që ky lloj i masave që do t’i ndërmarrim, qytetarët do t’i respektojnë edhe do të përdorin transportin publik me qëllim që ajri t’i rikthehet kornizave shëndetësore për të gjithë qytetarët”,- u shpreh kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
Këto komente Shilegovi i bëri në konferencën kushtuar mobilizimit të hapësirave urbane, për qytete të qëndrueshme dhe qytet ku jetohet në mënyrë cilësore, ku kryetari i Shkupit ka përsëritur qëndrimin se shkupjanët duhet të mësohen t’i lënë automobilat në shtëpi dhe të shfrytëzojnë transportin urban ose biçikletat.
Nga Qeveria thonë se kanë obliguar të gjitha organet shtetërore të zvogëlojnë deri në 50% përdorimin e makinave zyrtare si dhe të sigurojnë kufizime të punimeve ndërtimore nëpër objekte. (Gyltene Sinani, TVM2)
