Athinë, Nimic: Është koha për marrje të vendimit
Është koha reale të zgjidhet kontesti 25 vjeçar për emrin dhe ka vullnet tek të dyja palët....

Është koha reale të zgjidhet kontesti 25 vjeçar për emrin dhe ka vullnet tek të dyja palët. Ekzistojnë disa çështje të rënda, por mendoj se në Shkup dhe Athinë ekziston vullnet i mirë që të mbyllen.
Kështu ka deklaruar ndërmjetësi, Methju Nimic, pas takimit në Athinë me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kocijas. Qeveria greke është aktive dhe e sinqertë në zgjidhjen e problemit. Të dyja palët mund t’i kenë mendimet e veta për të cilat unë do të ndërmjetësoj por nuk vendos. Nga ana ime jap mendime që mendoj se janë më të mirat për momentin, ka theksuar Nimic.
“Nuk do të shpalos gjithçka çka përmbajnë idetë që ua dorëzova dy qeverive, mendoj nuk është mirë unë të tregoj çka kam propozuar. Dy qeveritë mund të shqyrtojnë idetë e tyre dhe mendoj se do të shfrytëzojnë diçka prej ideve të mia. Asnjëherë nuk jap ide përfundimtare. Unë jam mediator dhe jo gjykatës, dhe për këtë nuk jap ide përfundimtare por më të mirat. Me vëmendje e kam dëgjuar ministrin Kocias dhe kolegët e tij të cilët kanë disa mendime që duhet të merren parasysh. Do të shoh edhe çfarë ide kanë në Shkup, por të dyja palët duhet të gjejnë zgjidhje në bazë të ideve të tyre”,- theksoi ndërmjetësi për çështjen e emrit, Metju Nimic.
Ndërsa shefi i Diplomacisë greke, Kocias, për televizionin publik grek, ERT, ka deklaruar se Greqia do t’i dorëzojë Maqedonisë ka mesi i muajit shkurt kornizë propozimesh në katër pika për emrin, për përdorimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe për masat e besimit.
Propozimi për emrin, irredentizmi, marrëdhëniet ndërrajonale dhe masat për agjendë pozitive janë katër pikat në projekt marrëveshjen që Greqia do t’ia dorëzojë Maqedonisë nga mesi i shkurtit.
“Në këtë marrëveshje do të përfshihen të gjitha temat që janë të hapura lidhur me emrin. Posaçërisht kapitulli për irredentizmin, por edhe për temat që kanë të bëjnë me ardhmërinë e vendit, për integrimin e tij në organizatat ndërkombëtare dhe agjenda pozitive, se si mundet në mënyrë shtesë të zhvillohen marrëdhëniet tona”,- u shpreh ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias.
Kocias po ashtu ka bërë të ditur se ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e çështjet së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë i ka dorëzuar pesë propozime konkrete, katër emra në gjuhën maqedonase të papërkthyeshme dhe një në latinisht “Maqedonia (Shkupi)”. Kocias po ashtu është shprehur se propozim-emri i Maqedonisë duhet të jetë i përbërë me termin “Maqedoni”.
Lidhur me negociatat për emrin ai e përsëriti pozitën e tij se emri përfshin shtatë çështje: emrin, përdorimin e emrit, identitetin, gjuhën, përdorimin tregtar, akronimet dhe shenjat.
Ndërkaq lidhur me deklaratën e shefit të Diplomacisë greke, Kocias, për mediat greke se Greqia do t’i dorëzojë Maqedonisë ka mesi i muajit shkurt kornizë propozimesh në katër pika për emrin, përdorimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe për masat e besimit, ka reaguar Ministria e Jashtme të vendit.
“Nga ana jonë ka vullnet të mirë për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët që do t’i respektonte interesat, dinjitetin dhe identitetin e të dy popujve. Që të vijmë deri te zgjidhja do të ishte i mirëseardhur edhe vullneti i palës tjetër”,- thuhet në komunikatën e MPJ-së. (Nermin Ramadani, TVM2)
