Botë

Diplomatja amerikane Nuland viziton Kosovën

13.07.2014 17:45

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland është takuar fillimisht me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në komunikatën e presidencës, shkruhet se Jahjaga ka siguruar diplomaten Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë prioritet dhe ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Progresi i arritur deri tani është i rëndësishëm por që zbatimi i marrëveshjeve të arritura me ndihmën e BE-së janë faktor kyç, përshirë edhe largimin e barrikadave që janë pengesë serioze në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja Jahjaga, thuhet në komunikatë, ka adresuar sfidën e sigurisë që paraqet radikalizmi për Kosovën dhe rajonin sipas së cilës, “Kosova do të punojë në partneritet të ngushtë me aleatët për të adresuar këto kërcënime”.

Diplomatja amerikane në takimin me kryeministrin Hashim Thaçi  ka biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve.

Në komunikatzën e Qeverisë thuhet se Kryewministri Thaçi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe të gjitha marrëveshjeve tjera sektoriale, të arritura mes dy vendeve”.

Ndërkohë Nuland, është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj të cilët, pas takimit janë shprehur se kanë biseduar për proceset nëpër të cilën është duke kaluar Kosova, sidomos pas zgjedhjeve të tetë qershorit.

Kurse, ndihmës sekretarja Victoria Nuland, sipas komunikatës për media të presidencës, ka ritheksuar përkrahjen e fuqishme të Qeverisë Amerikane për Kosovën dhe përpjekjet e saj drejt integrimit më të gjerë Euro-Atlantik.

Ajo ka theksuar rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe progresin e implementimit të marrëveshjes për normalizim të arritur në Bruksel më 19 Prill 2013. 

MEFAIL ISMAILI