Maqedoni
60 mijë libra për arsimin fillor, synohet nxitja e shprehisë së leximit te nxënësit
31.01.2018 14:30
60 mijë libra me ilustrime do të shpërndahen në 336 shkolla fillore në të gjithë vendin me qëllim....

60 mijë libra me ilustrime do të shpërndahen në 336 shkolla fillore në të gjithë vendin me qëllim që nxënësit të fillojnë që në klasat e ulëta të krijojnë shprehinë e të lexuarit. Iniciativa vjen nga Fondacioni “Money gram”, në bashkëpunim me Fondacionin “Hap pas hapi” dhe “Moneta”.
“Ky aktivitet për përkrahjen e fëmijëve e arrin vlerën prej 65 mijë dollarësh, kjo nënkupton shumë të madhe të hollash që për herë të parë po jepen në këtë rajon. Ne kemi arritur të kemi ndikim tek qindra mijëra fëmijë nga vende të ndryshme ku kemi bërë shpërndarjen e librave, andaj shpresoj se edhe në vendin tuaj ky projekt do të japë rezultatet e pritura”,- tha Andrea Vernaçi nga Fondacioni “Money Gram”.
“Me këto fonde dhe me botimin e 2000 kompleteve me nga 30 libra me ilustrime, ne duam të kontribuojmë për rritjen e fondit të librave dhe shprehinë e të lexuarit, sepse si në Maqedoni ashtu edhe në suaza botërore dukshëm po rritet numri i nxënësve të paarsimuar”,- tha Snezhana Kiranxhiska nga Fondacioni “Hap pas hapi”.
Nuk është vetëm shpërndarja e librave mision i Fondacionit “Hap pas hapi”. Në bashkëpunim me MASh-in dhe komunat, ata tashmë kanë ndihmuar edhe në trajnimin e mësimdhënësve. Autoritetet qendrore e lokale premtojnë mbështetje për projekte të tilla edhe në të ardhmen.
“Fondacioni “Hap pas hapi” bashkë me këshilltarët e Byrosë së Arsimit kanë realizuar edhe 18 trajnime me 540 mësimdhënës me qëllim të zbatimit sa më efikas të mjeteve ndihmëse të cilat besoj se janë interesante dhe të dedikuara që orët mësimore të jenë argëtuese dhe më kreative",- tha zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi.
“Të përkrahim në maksimum iniciativa të tilla dhe të stimulojmë fondacionet dhe shtëpitë botuese të vazhdojmë me investime të tilla kuptimplote. Të shtojmë respektin për pendën e shkruar dhe t’u sigurojmë brezave të rinj hapërim të sigurt në rrugën e përparimit”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Nxënësit tanë kanë treguar rezultate tejet të dobëta në testimet ndërkombëtare “Pisa”, andaj këto librat me ilustrime janë dedikuar për përmirësimin e aftësive për nxënie të mësimeve, u theksua me këtë rast.
FLUTURA LATIFI
