Maqedoni

Çmimi i ri i ujit, qeveria sugjeron që KRRE-ja të rishqyrtojë vendimin

31.01.2018 14:46

Qeveria i ka sugjeruar KRRE-së që të analizojë edhe një herë vendimin për rritjen e çmimit të ujit për pije...

Sipas zëdhënësit të qeverisë, rritja e çmimit do të rëndonte xhepin e qytetarëve dhe si e tillë është e papranueshme. 
 
“Qeveria e RM-së është kundër vendimit për rritje të çmimit të ujit për shkak se çdo rritje e çmimit  bie në kurriz të qytetarëve. Ne vlerësuam se qytetarët nuk duhet të paguajnë çmime më të larta të ujit dhe sollëm vendim që t’i sugjerojmë Komisionin Rregullator të Energjetikës ta shqyrtojë vendimin për miratimin e rritjes së çmimit të ujit të pijshëm, ndërsa edhe Ndërmarrja Publike “Studençica” në Kërçovë të bëjë edhe një analizë për korrigjimin e çmimit të ujit”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Qeveria gjithashtu ka miratuar vendimin për udhëtime vetëm me letërnjoftime të qytetarëve të RM-së në Bosnjë–Hercegovinë dhe anasjelltas, vendimin për shkarkimin nga funksioni të drejtorit të Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit, Aleksander Donev, për shkak të punës së tij të papërgjegjshme, vendimin për ndërprerjen e Ligjit për përkrahjen me subvencionim të produksionit kombëtar të muzikës. Për këtë vendim të fundit qeveria ka arsyetuar se në bazë të analizave të bëra u tregua qartë se nuk ka asnjë arsyetim për shpenzimet e bëra nëpërmjet këtij ligji.
 
Gjithashtu në të ardhmen taksistët nuk do të kenë nevojë që të vërtetojnë me certifikatë ndërkombëtare se e njohin gjuhën angleze. Qeveria po diskuton edhe mënyrën se si t’u ndihmohet komunave që kanë borxhe financiare.