Ndërmjetësi i OKB-së në Shkup, Nimic, pret me optimizëm takimet e së enjtes
Pas Athinës, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për bisedimet për çështjen e emrit, Metju Nimic.....

Pas Athinës, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për bisedimet për çështjen e emrit, Metju Nimic, ka arritur në Shkup, ku tashmë janë caktuar edhe takimet me presidentin Ivanov, kryeministrin Zaev, shefin e Diplomacisë, Dimitrov, dhe liderët e VMRO-së dhe BDI-së.
Nimic do të përcjellë në këto takime detajet e takimeve në Athinë dhe të dëgjojë edhe qëndrimet e palës maqedonase. Ndërmjetësi i OKB-së vlerëson se është koha e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje e kjo periudhë duhet shfrytëzuar nga të dyja palët.
“Bisedimet në Athinë ecën mirë dhe pres që edhe këtu në Shkup do të ecin mirë pasi që të takoj udhëheqësit këtu në Maqedoni”,- tha negociatori i OKB-së për emrin, Metju Nimic.
Qëndrimet optimiste i ndan edhe Qeveria e Maqedonisë. Por, zëdhënësi Boshnjakovki edhe një herë ka ripërsëritur se vendi është i gatshëm edhe për referendum rreth kësaj çështjeje, gjë që tashmë është kundërshtuar disa herë nga partneri shqiptar i koalicionit, BDI.
“Shumë herë kemi përsëritur se tani është koha e vërtetë për gjetjen e një zgjidhjeje. Ka edhe vullnet politik për ndërtimin e marrëdhënieve me Republikën e Greqisë në një nivel më të lartë. Punojmë në zgjidhjen e përhershme me Greqinë, e cila ka problem me emrin tonë kushtetues, megjithatë në suaza të këtij procesi dhe nëse vjen deri tek referendumi, vendi i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të organizuar referendum”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Greqia do të propozojë një projekt-marrëveshje në katër pika në Maqedoni në mes të shkurtit. Pas takimit me Nimicin, Nikos Kocias ka sqaruar se kjo marrëveshje nuk është përfundimtare por pala maqedonase ka të drejtë të thotë edhe qëndrimet e saj.
"Ne jemi duke punuar drejt një zgjidhjeje në mirëbesim. Negociatat mund të vazhdojnë pas Samitit të NATO-s në korrik. Ne patëm një takim produktiv me Nimicin për të diskutuar pikat pozitive të propozimeve të tij, por ne gjithashtu shprehëm shqetësimin e palës greke për propozime alternative. Me mirëbesim mund të arrijmë një zgjidhje”,- theksoi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov, më herët ka deklaruar se publikimi i qëndrimeve përfundimtare mund të zvogëlojë hapësirën për bisedimet e emrit. Sipas tij, duhen gjetur gjërat që bashkojnë të dy vendet pasi dallimet tashmë janë të qarta. Një pjesë e partive politike në Greqi, ndërkohë, kundërshtojnë emrin kompleks për të përmbajtur termin Maqedoni.
Për të dielën në Athinë janë paralajmëruar protesta edhe më të mëdha se ato që u mbajtën gjatë këtij muaji në Selanik. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
