Maqedoni

Rasti “Trajektorja”, 315 “bomba” dëshmi kundër Gruevskit

31.01.2018 15:34

Për rreth 2 orë avokatët mbrojtës në rastin “Trajektorja” para trupit gjyqësor elaboruan kërkesat dhe parashtresat....

Për rreth 2 orë avokatët mbrojtës në rastin “Trajektorja” para trupit gjyqësor elaboruan kërkesat dhe parashtresat lidhur me dëshmitë që dalin nga përgjimet dhe ekspertizat e realizuara në fazën hetimore, duke kërkuar të bëhet ndarje e ekspertizës nga dëshmitë. 
 
Mbrojtja kërkon që të 315 incizimet që janë dëshmi materiale e këtij procesi të analizohen dhe shqyrtohen, por nuk pranojnë që të njëjtat t’i dëgjojnë në Prokurorinë Speciale. Avokatët mbrojtës kanë vërejtje edhe ndaj dy ekspertëve të angazhuar në këtë rast, që, sipas tyre, kanë qenë me licenca të skaduara.
 
Avokati, Donço Nakov, ka deklaruar se  vetë angazhimi i tyre ka qenë i kundërligjshëm, pasi të njëjtit janë angazhuar nga filiali i një personi të huaj juridik dhe jo nga Byroja për ekspertiza gjyqësore.
 
Në rastin “Trajektorja”, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministrat, Mile Janakievski dhe Vladimir Peshevski, dhe ish-drejtori i Agjencisë për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski, akuzohen për shfrytëzim posti dhe shkelje të autorizimeve gjatë procedurës për zgjedhje të kompanisë për ndërtimin e autostradës Mladinovc - Shtip dhe Kërçovë – Ohër në 2012-2013, duke dëmtuar kështu buxhetin shtetëror për 155 milion euro. 
 
U anulua ndërkohë rasti tjetër i PPS-së, “Transportuesi”, që ka të akuzuar kryesor ish-kryetarin e komunës së Manastirit, pasi për shkak të një ankese të parashtruar lënda gjendet aktualisht në Gjykatën e Apelit. Talevski vazhdon ta quajë rastin si grackë politike.
 
“Ne dëshirojmë që sa më shpejtë të mbarojë kjo procedurë, siç ju thashë edhe disa herë, kjo është një grackë politike dhe nuk ka lidhje me realitetin. Nuk ka asnjë pikë të përbashkët për atë për çka jemi të akuzuar. Punojmë në mënyrë të rregullt, nuk kemi bërë asnjë krim dhe jemi të bindur se këtë do ta dëshmojmë”,- deklaroi i akuzuari në rastin “Transportuesi”, Vlladimit Talevski.
 
Sipas aktakuzës së PPS-së, 21 personat e akuzuar në rastin “Transportuesi” kanë keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare gjatë sigurimit të transportit të nxënësve në Manastir, me çka kanë dëmtuar buxhetin për më shumë se gjysmë milion euro.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI