Tërhiqet Shilegov, nuk do të ketë shtrenjtim të ujit në Shkup

31.01.2018 16:04

Banorët e Shkupit nuk do të paguajnë ujin më shtrenjtë, deklaroi kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov...

Banorët e Shkupit nuk do të paguajnë ujin më shtrenjtë, deklaroi kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, derisa tërhoqi pikat e rendit të ditës ku duhej shqyrtuar përcaktimin e tarifës për furnizim me ujë të pijshëm që vjen si propozim nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, njofton “TVM2”.

Pak para fillimit të seancës, këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, Irena Popova, akuzoi se qytetarët do të përballen me një shtrenjtim të ri të ujit.

“Derisa unë të jem  kryetar i qytetit, qytetarët e Shkupit, për arsye të partizimit të organeve në të kaluarën, nuk do të kenë nevojë të paguajnë ujë të shtrenjta. Uji do të mbetet me të njëjtin çmim, kurse ne me punë dhe veprime të drejta do t’i ndihmojmë dhe plotësojmë të gjitha nevojat e ndërmarrjes publike”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Parashihet që me etapat rritet çmimi i ujit në Shkupi për 35%, ku pas rritjes së çmimeve të naftës kjo do të jetë edhe një goditje për  qytetarët. Do të thotë se me këtë propozim shkupjanët në vend të paguajnë 12 fatura, ata do të paguajnë 16 fatura për ujë për një vit. Nëse amvisëritë kanë paguar 1000 denarë për një muaj, me rritjen do të paguajnë 1350 denarë në muaj”,- deklaroi Irena Popova nga VMRO-DPMNE.

Qyteti i Shkupit miratoi edhe disa vendime për bashkëpunim ndërkomunal midis të cilave edhe vendimin për të ndërtuar një kolektor në rrugën 155 në komunën e Çairit me vlerë prej 7 milion denarësh, riparimin e një rruge në Krushopek të komunës së Sarajit, ku Qyteti i Shkupit do të participojë me 2 milion denarë si dhe përgatitjen e projektit për revitalizimin e liqenit Treska në shumë të përgjithshme, prej 7 milion denarësh prej të cilave për vitin 2018 do të ndahen 3 milion denarë. (Naim Ramadani, TVM2)