Kompromiset rreth emrit, analistët: Shqiptarët të jenë të kujdesshëm

31.01.2018 16:17

Takimi i ndërmjetësit Nimic me palët kontestuese këtë javë pritet t’i japë kahje përfundimtare....

Takimi i ndërmjetësit Nimic me palët kontestuese këtë javë pritet t’i japë kahje përfundimtare zgjidhjes së çështje së emrit, vlerësojnë analistët. Sipas Ismet Ramadanit, politikanët shqiptarë duhet të kenë kujdes e të mos pranojnë emra që do të përjashtonin shqiptarët si identitet. Analisti, Alber Musliu, thotë se qytetarët duhet të sqarohen se cilat janë përfitimet nga zgjidhja e kontestit, e jo t’u imponohen zgjidhje nga politikanët.

Në asnjë mënyrë të mos pranohet emër “Sllavo Maqedoni”, sepse me këtë emër me automatizëm përjashtohen shqiptarët në Maqedoni. Këto pesë propozime që kanë dalë nuk paraqesin problem për shqiptarët”,- tha analisti politik, Ismet Ramadani.

“Intelektualët shqiptarë dhe politikanët shqiptarë duhet ta marrin si obligim t’ia sqarojnë edhe opinionit maqedonas jo vetëm nevojën por edhe përfitimet edhe kuantumin minimal të efekteve negative të cilat këto kompromise mund ta kenë ndaj bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Është në interes të të gjithëve që kjo çështje të përmbyllet”,- tha analisti politik, Albert Musliu.

KATËR PIKAT E PROJEKT - MARRËVESHJES GREKE, ANALISTËT: ÇËSHTJET DUHEN ANALIZUAR ME KUJDES

Por, problemi i radhës, sipas panelistëve në “Argument” në TVM2, do të dalë tek çështjet që do të kualifikohen si irredentizëm dhe  joirredentizëm në katër pikat e projekt - marrëveshjes, që Greqia do t’ia dorëzojë Maqedonisë nga mesi i shkurtit.

“Tash duhet të jemi të qartë dhe të sinqertë se ka irredentizëm në kuptimin kur preken në eksluzivitet të disa momente historike, ose figurave historike, ato punë qëndrojnë edhe në tekstet shkollore, për ato çështje duhet të bisedohet. Në asnjë mënyrë nuk duhet të rritet shkalla e dyshimit në atë çka je, sepse nëse luhatesh në vetvete, forca radikale në Greqi do ta shfrytëzojë këtë moment”,- tha analisti politik, Ismet Ramadani.

“Me faktin që niveli i komunikimit dhe gjetjes së disa solucioneve që janë edhe teknike, kjo për shenjën tregtare, automobilistike, janë çështje që u takojnë  profesionistëve dhe besoj se këtu do të gjendet mënyra se si do të tejkalohet. Pikërisht për shkak të asaj edhe bie edhe niveli në  komunikim të ministrive për shkak se frekuenca e bisedimeve është shumë më e madhe”,- u shpreh Musliu.

Ndërkaq, sa i përket konsensusit të brendshëm politik, analistët thonë se janë optimistë se do të gjendet, por druajnë nga ndonjë obstruksion i mundshëm nga presidenti Ivanov. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)