Mbledhje komemorative, përkujtohet vepra e ish-deputetit, Sali Ramadani
Komuna e Kërçovës dhe Shoqata e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë ka përkujtuar në një mbledhje komemorative jetën dhe veprimtarinë e ish-deputetit...

Komuna e Kërçovës dhe Shoqata e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë ka përkujtuar në një mbledhje komemorative jetën dhe veprimtarinë e ish-deputetit, Sali Ramadanit, që ndërroi jetë gjatë fundjavës.
Veprimtari dhe ish-deputeti, Sali Ramadani, gjithë jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare.
Ai do të mbetet burim frymëzimi për brezat e rinj, model i guximit dhe sakrificës, shembull i atdhedashurisë dhe idealeve kombëtare, thanë të pranishmit.
Është shtrirë gjatë në kohë veprimtaria patriotike e ish-deputetit Ramadani, por opinioni më i gjerë padyshim si pikën kulmore të kësaj veprimtarie do ta kujtojë gjithnjë daljen e tij në foltoren e parlamentit me flamurin kombëtar shqiptar në vitin 1997, veprim ky që detyroi kreun e atëhershëm të parlamentit, Tito Petkovskin, të kërkojë ndërhyrjen e shërbimeve për heqjen e deputetit Ramadani nga foltorja.
