Poloni, miratohet Ligji kundërthënës për Holokaustin
Senati i Polonisë e ka miratuar ligjin kundërthënës, me të cilin rregullohet të shprehurit për Holokaustin, i cili ka për qëllim ta mbrojë imazhin e Polonisë...

Ky ligj u miratua përkundër vërejtjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe zemërimit nga ana e Izraelit. Ligji, i miratuar mbrëmë vonë me 57 vota për dhe 23 kundër e dy abstenime, parasheh dënim me burg deri në tri vjet, për çdokënd që kampeve të koncentrimit të Gjermanisë naziste u referohet si “kampet polake të vdekjes” ose e akuzon Poloninë për bashkëpunim me krimet e nazistëve.
Ligji tashmë pritet të nënshkruhet nga presidenti i Polonisë, i cili e ka mbështetur atë. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kërkuar nga Varshava që të hedhet poshtë ky ligj, duke thënë se ai e kufizon lirinë e të shprehurit dhe kërkimet shkencore. Izraeli, po ashtu, ka thënë se ligji paraqet përpjekje për mohimin e involvimit polak në vrasjet e hebrenjve nga nazistët gjermanë.
