Maqedoni

SHBA: Të shqetësuar për Maqedoninë

13.07.2014 18:38

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për tensionet në rritje në Maqedoni ka thënë në një intervistë për Top Channel...

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për tensionet në rritje në Maqedoni ka thënë në një intervistë për Top Channel, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland. Ajo ka potencuar se për këtë do të flasë me të gjitha palët për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës.
 
“Do të jem në Maqedoni të hënën. Siç e dini, jam në një tur të Ballkanit me një delegacion të disa agjencive. Në këtë udhëtim po vizitojmë pesë vende. Një prej arsyeve pse doja të sigurohesha që do të shkonim në Shkup ishte sepse jemi të shqetësuar për tensionet në rritje. Të gjithë kemi punuar shumë. Si miq të Maqedonisë, për t’i ndihmuar të ndërtojnë një shoqëri të fortë shumëetnike, ku të drejtat në të dyja komunitetet janë të mbrojtura. Prandaj, pres me interes të dëgjoj nga të gjitha palët se si po shkojnë gjërat atje dhe se si mund të ndihmojmë. Folëm pak për Maqedoninë si dhe në bisedat që pata në Malin e Zi. Të gjithë fqinjët janë po ashtu të interesuar të ndihmojnë”, shprehet sekretarja e SHBA-ve, Viktoria Nuland.
 
Edhe Kryeparlamentari i Shqipërisë Ilir Meta ka komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni. Ai këtë e ka bërë të ditur pas takimit që dje ka zhvilluar me ndihmës sekretaren amerikane, Victoria Nuland.
 
Sa u përket ngjarjeve të fundit shqetësuese në Maqedoni, kryeparlamentari Meta ka theksuar se Shqipëria mbështet dialogun konstruktiv mes palëve në frymën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke mos harruar se çdo hap që hidhet në rajon duhet t’i shërbejë klimës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe forcimit të paqes, stabilitetit dhe progresit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë. 
 
RINA TURKESHI-SAHITI