Maqedoni

Ulet ndotja në Shkup, autoritetet i tërheqin masat e përkohshme

01.02.2018 14:40

Inspektorati shtetëror i ambientit jetësor ka bërë filmime të detajuara të më shumë lokacioneve në Shkup nga droni...

Inspektorati shtetëror i ambientit jetësor ka bërë filmime të detajuara të më shumë lokacioneve në Shkup nga droni, për të cilat ekzistojnë dyshime se ekzistojnë deponi të egra në të cilat në mënyrë ilegale digjen plehrat duke ndotur kështu në mënyrë alarmante ajrin në kryeqendër.

Filmimet e para të Inspektoratit të ekologjisë janë bërë në hapësirën rreth Vardarit. Sipas të dhënave të fundit të stacioneve matëse, ndotja në Shkup është aktualisht nën nivelin e lartë të rrezikshëm prej 200 mikrogram për metër kub.

Pas këtyre të dhënave, autoritetet kanë pezulluar për momentin masat e përkohshme, deri në matjet e reja të ndotjes së ajrit, që u aplikuan më 30 janar. Por, edhe përkundër tërheqjes së këtyre masave, Qyteti i Shkupit vendosi që sot transporti pa pagesë në autobusët urbanë të zgjasë deri në orën 20 të mbrëmjes.

Gjithsesi, nga Qyteti i Shkupit sërish u apelojnë qytetarëve të mos i përdorin pa nevojë makinat e tyre, të përdorin sa më shumë transportin publik, të kujdesen që të mos përdorin materiale të rrezikshme për ajrin gjatë ngrohjes së shtëpive të tyre, si materiale të llakuara apo të lyera, vaj makinash të djegur, goma apo material sintetike.

SEVDIE OMEROVIQ